DYLON

Fillon intervistimi i kandidatëve për pozitën e prokurorëve në prokuroritë themelore

Fillon intervistimi i kandidatëve për pozitën e prokurorëve në prokuroritë themelore
Avatar photo Redaksia

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka filluar sot procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e prokurorëve në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, në kuadër të konkursit publik të shpallur më herët nga Këshilli.

Procesi i intervistimit po zhvillohet nga Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, nën kryesimin e z. Ardian Hajdaraj dhe me anëtarë z. Bahri Hyseni, z. Arian Gashi, znj. Florije Shamolli dhe z. Dardan Vuniqi.

EkoHigjiena

Anëtarët e Komisionit theksuan se ky proces do të zhvillohet në përputhje të plotë me parimet themelore të meritokracisë, transparencës, trajtimit të barabartë, paanshmërisë dhe vlerësimit objektiv të kandidatëve, siç përcaktohet me aktet nënligjore të KPK-së dhe standardet ndërkombëtare për rekrutimin e prokurorëve.

Në funksion të garantimit të një procedure të hapur, të drejtë dhe të besueshme, KPK ka ftuar organizatat vendore dhe ndërkombëtare monitoruese që të marrin pjesë në mbikëqyrjen e këtij procesi. Në ditën e parë të intervistimeve ishin të pranishëm përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të cilët po monitorojnë zhvillimin e intervistave në përputhje me standardet e transparencës dhe llogaridhënies publike. /2LONLINE/