Në pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, në Jarinje dhe Bërnjakë, sipas Marrëveshjes së Brukselit, sot do të fillojë inkasimi i taksave të Doganës dhe taksave për mallrat që importohen nga Serbia.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, tha për Radio Kosovën se të gjitha përgatitjet janë kryer për të bërë zhdoganimin e mallrave të importuara nga Serbia, në pikat e përmendura doganore të Kosovës, transmeton RTK.
Gjatë vizitave të tij të shpeshta në veriun e Kosovës, Aleksandër Vulin ministër pa portofol në qeverinë e Serbisë i ngarkuar me Kosovën, ka thënë se nga dita e shtunë 14 dhjetor do të fillojë pagesa e detyrimeve, siç ka thënë ai, ‘në kalimet administrative mes Serbisë dhe Kosovës e Metohisë’ në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).
Ndërsa, në disa media lokale në pjesën veriore të Kosovës, EULEX-i po vazhdon me një fushatë informuese për këtë çështje, duke u treguar qytetarëve se paratë e mbledhura nga pagesa e detyrimeve, do të përdorën në dobi të përmirësimit të jetës së tyre.
“Kjo do të ndikoj në rritjen e investimeve socio-ekonomike dhe përmirësoj standardin jetësor”, thuhet ndër të tjera në reklamat e EULEX-it.
Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se është mbajtur takimi i parë i Fondit për Veriun.
Në një komunikatë të lëshuar nga kjo zyrë thuhet se bordi i këtij fondi përbëhet prej tre anëtarëve: Danijela Zubac, përfaqësuese e serbëve të veriut, Besim Beqaj, përfaqësues i institucioneve të Kosovës dhe Samuel Zhbogar, Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë.