Fillon implementimi i projektit për strehim social, familja Kërçeli përfitues i parë
(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se gjatë mandatit të tij do t`i zgjidhë problemet e banimit social, që janë të shumta dhe në këtë drejtim ka bërë hapin e parë të mërkurën, kur kompania CDC ka marrë përsipër rastin e Nevrije Kërçelit, e cila si punëtore ndihmëse në një shkollë të qytetit, ishte munduar vetë të ndërtonte një strehë për familjen e saj 7 anëtarësh, përmes një kredie bankare, por nuk ia ka dalë ta përfundojë atë dhe është detyruar të vazhdojë jetën në kushte tmerrësisht të këqija, në një kasolle që s`e mban as shiun dhe s`e pret as erën.
Në këtë mënyrë Komuna e Gjilanit ka filluar implementimin e projektit për strehim social, nga fondi për ndihmë familjeve që nuk e kanë të zgjidhur këtë problem, ku ndihmë, pos mërgimtarëve, po ofrojnë edhe qytetarët dhe bizneset vendore, si premtim në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”.
Hazir Mustafa, kryetar i komisionit ad hoc dhe Valon Shefkiu, drejtor për Urbanizëm, së bashku me donatorin, kompaninë CDC, kanë vizituar të premten familjen Kërçeli, për ta njoftuar me fillimin e punimeve në shtëpinë e saj, të cilës pos çatisë, do t`i ndërtohet edhe nën-kulmi, për të vazhduar të premten me rastet tjera.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën e mirë që po mban ende dhe të kryejmë sa më shumë punë që mundemi për këto familje, të cilat vetë nuk mund të bëjnë asgjë për të ndryshuar realitetin ku jetojnë, në mënyrë që dimrin ta kalojnë në kushte më të mira”, ka thënë Shefkiu.
Hazir Mustafa, kryetar i komisionit, tha se paraprakisht, në terren kanë identifikuar 120 raste, të cilat kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive, ose për rinovimin e objekteve ekzistuese, ndërsa disa të tjerë kanë nevojë që t`u kompensohet qiraja për banim, sepse nuk kanë as shtëpi të vjetra dhe as tokë ku mund t`iu ndërtohen shtëpi të reja, sipas kritereve humanitare.
Mustafa ka thënë se ndërkohë janë lajmëruar edhe 300 raste tjera, të cilat kërkojnë ndihmë në zgjidhjen e problemit të banimit.
Duke e njohur mirë këtë realitet, kryetari Haziri ka treguar një ndjeshmëri të veçantë ndaj këtyre rasteve dhe është shprehur i përkushtuar për t`i trajtuar ato deri në mundësinë e fundit. Pos 100 mijë eurove, që ka ndarë nga buxheti i Komunës, ai ka organizuar edhe mbrëmjen humanitare për të rritur fondin e banimit social, ku janë premtuar mbi 353 mijë euro si dhe 9 shtëpi me çelësa në dorë.
Jashtë këtyre premtimeve është lajmëruar mërgimtari Ruzhdi Bunjaku, i cili ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë së dhjetë dhe këtë fat e ka pasur familja 8 anëtarësh e Zijadin Marovcës. /2L ONLINE/
