Fillon cikli i dytë dyvjeçar me mentor dhe gjyqtarët talent

Fillon cikli i dytë dyvjeçar me mentor dhe gjyqtarët talent

Pas përfundimit të suksesshëm të ciklit të parë të programit me Mentor/Talent, sot, me organizim të FFK-së dhe në mbështetje të UEFA-së ka filluar cikli i dytë dyvjeçar me mentor dhe talent të ndarjes së drejtësisë. Komisioni i Gjyqtarëve pas një procesi përzgjedhës ka përcaktuar gjashtë gjyqtarë talente për këtë cikël dhe katër mentor të cilët do t’i mbështesin këto talente në punën e tyre, njofton FFK.

Në hapje të këtij cikli dyvjeçar ishin të pranishëm edhe presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, derisa edhe kësaj radhe ky program do të zhvillohet nën përkujdesen e instruktorit të UEFA-s, Alan Snoddy. Presidenti Ademi fillimisht ka falënderuar instruktorin e UEFA-s që çdo herë ka qenë i gatshëm ta ndihmojë FFK-në, përkatësisht sektorin e gjyqtarëve.

“Realisht çdo gjë që është bërë është bërë në ngritjen profesionale të gjyqtarëve është bërë falë këtij njeriu që është edhe sot në mesin tonë. Pra, Alan Snoddy meriton një vend në historinë e futbollit të Kosovës për mbështetjen e tij të vazhdueshme për ngritjen profesionale të gjyqtarëve. Nuk është pak për Kosovën si vend i vogël që të ketë katër treshe të gjyqtarëve me stemën e FIFA-s për kaq kohë të shkurtër. Më vjen mirë që edhe ju si gjyqtarë keni shfrytëzuar në mënyrën më të mirë çdo paraqitje tuajën në arenën ndërkombëtare dhe tani përvojën e juaj do ta bartni si mentor të këtyre talenteve”, ka theksuar presidenti Ademi, duke iu dëshiruar talenteve të reja punë të mbarë në këtë cikël dyvjeçar.

Ndërkaq, Alan Snoddy ka falënderuar kreun e FFK-së për fjalët e mira, teksa ka theksuar se çdo herë ka ardhur në Kosovë me vullnet të madh për të ndihmuar. “Me të vërtet gjatë kësaj periudhe të shkurtër është arritur një sukses i madh në këtë sektor dhe kjo është si një shpërblim për punën time. Ajo çfarë kam parë sot është se tashmë po shkojmë nga cilësia e jo sasia.

Para dy vitesh në ciklin e parë të këtij programi kemi pasur një numër shumë të madh të gjyqtarëve, kurse tani kemi vetëm gjashtë gjyqtarë të talentuar të cikël kanë kaluar procesin e përzgjedhjes dhe janë këtu për të vazhduar punën dyvjeçare. Në anën tjetër edhe mentorët e këtij programi kësaj radhe i kemi njerëz të rinj por me përvojë të madhe dhe kjo pa dyshim e lehtëson procesin”, ka thënë Snoddy.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ka kërkuar nga gjyqtarët e rinj që gjithmonë të jenë maksimalisht korrekt në ndarjen e drejtësisë, pasi në këtë mënyrë do ta ndihmojnë veten në ngritjen profesionale por edhe Federatën. “Për ju gjithmonë është me rëndësi të jeni profesional dhe të krijoni identitetin e juaj si njerëz të drejtë dhe me autoritet. Duhet ta kuptoni se ai që e ndanë drejtësinë është i shenjtë, prandaj mos hezitoni të mësoni, të shfletoni sa më shumë rregullat e futbollit dhe të jeni maksimalisht të përgatitur në të gjitha aspektet”, ka thënë Salihu.

KOMENTE