Fillon asfaltimi i rrugëve në lagjen Malësia
/2L ONLINE/ – Kanë filluar punimet përgatitore për asfaltimin e dy rrugëve në Lagjen “Malësia” të cilat asfaltohen nga buxheti komunal. Fillimet e këtyre punëve i vizituan edhe kryetari i Komunë]s së kamenicës Begzad Sinani dhe nënkryetari Fatmir Matoshi. Këto dy rrugë së bashku me rrugën lidhëse në mes tyre kanë një gjatësi prej 610 metrash.
Kryetari Sinani, me këtë rast ka thënë se përkushtimi i komunës vazhdon që të përmirësohet infrastruktura në qytet si edhe në komunë në përgjithësi. “Këto asfaltime bëhen pa participim të qytetarëve dhe ne sot jemi këtu që të sigurohemi se punët kanë filluar dhe do të kryhen sipas planit dhe projektit të paraparë. “ tha Kryetari Sinani.
Nënkryetari Fatmir Matoshi, ka thënë se ndihet I lumtur që pushteti komunal po realizon premtimet e dhëna banorëve të kësaj lagje, e cila për vite të tëra kishte mbetur e pazhvilluar.
“Ne do të vazhdojmë me këto asfaltime, sepse këto dy rrugë lidhin më së tepërmi familje në këtë lagje, në nderkohë do të fillojmë edhe me kanalizimin dhe ujësjellësin prej 610 metrash në anën e kundërt të këtyre rrugëve, ku dhjetëra familje tash e 16 vite jetojnë aty në kushte të rënda pa ujësjellës dhe kanalizim. Problemi më i madh na mbetet rruga kryesore, për të cilën komuna ka mjete sa për të mbyllur gropat e hapura në rrugë ndërsa nuk kemi ende konfirmim zyrtar pos shumë premtimeve të kohëpaskohshme nga Ministria e Infrastrukturës për riasfaltimin e saj. Së bashku me kryetarin Sinani po angazhohemi shumë që të realizojmë sa më shumë projekte që mundemi përkundër buxhetit mjaft të vogël që e kemi” ka thënë nënkryetari Fatmir Matoshi./2L ONLINE/
