Fillojnë përgatitjet për të shënuar 19 Nëntorin “Ditën Botërore Kundër Abuzimit të Fëmijëve”

Fillojnë përgatitjet për të shënuar 19 Nëntorin “Ditën Botërore Kundër Abuzimit të Fëmijëve”

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me organizatat “Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)” dhe “Qendra për Studime të Avancuara (FIT)”, në kuadër të projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”, kanë realizuar dy punëtori me nxënësit e disa shkollave të mesme të ulëta të Komunës së Kamenicës.

Aktiviteti është organizuar nga Koordinatori i terrenit nga “Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)” në Komunën e Kamenicës, Rexhep Arifi, në bashkëpunim me kryesuesen e Ekipit Komunal për Parandalim dhe Referim të Rasteve të dhunës, njëherit zyrtare në Drejtorinë Komunale për Arsim, Lejla Leci, si dhe anëtarin e këtij ekipi, Jetullah Mehmeti, mësimdhënës në shkollën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Kamenicë.

Nën moton “Stop Abuzimit të Fëmijëve”, nxënësit e klasave gjashtë deri në të nëntën, kanë dërguar mesazhet e tyre nëpërmjet vizatimeve, eseve dhe shkrimeve të ndryshme, të cilat kanë për qëllim rritjen e ndjeshmërisë dhe sensibilizimin e shoqërisë për fenomenin e abuzimit dhe parandalimin e tij.

Organizatorët e këtij aktiviteti falënderojnë të gjithë drejtorët, mësimdhënësit, psikologët dhe pedagogët e shkollave pjesëmarrëse në këtë punëtori, të cilët janë angazhuar që ky aktivitet të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Aktivitetet për të shënuar ‘’Ditën botërore kundër abuzimit të fëmijës’’ do të vazhdojnë edhe gjatë muajit nëntor.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian. /2LONLINE.com/

KOMENTE