Filloi ushtrimi fushor i FSK-së ,”Shqiponja 6”

Filloi ushtrimi fushor i FSK-së ,”Shqiponja 6”

Në konferencën për medie që u mbajt në kazermën ,,Adem Jashari “ në Prishtinë, për ushtrimin fushor “Shqiponja 6”, që filloi sot dhe zgjatë deri me 11 maj, para mediave folën drejtori i ushtrimit fushor “Shqiponja 6” gjeneral brigade Naim Haziri, Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës Shpend Tërdeva dhe përfaqësuesi nga Garda Kombëtare e Ajovës së ShBA-ve koloneli Justin Wagner.

Konferenca kishte për qëllim njoftimin i qytetarëve dhe mediave për aktivitetet e përbashkëta me partnerët. Në këto aktivitete njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zhvillojnë operacione taktike në terren (Prishtinë, Obiliq, Podujevë, Gjilan, Novobërd) me kapacitetet ekzistuese dhe testimin e tyre si dhe bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me partnerët dhe agjencitë vendore të sigurisë dhe emergjencave.

Në fjalën e tij, drejtori i ushtrimit fushor gjeneral brigade Naim Haziri tha se “është fat i madh që krahas agjencive të sigurisë dhe emergjencave të Republikës së Kosovës në gjithë procesin e planifikimit të këtij ushtrimi kanë qenë prezentë edhe vendet partnere. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të realizohet ushtrim fushor në nivel të FSK-së me pjesëmarrje të partnerëve, qofshin ata vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe të vlerësohen kapacitete reaguese në situata komplekse emergjente dhe të sigurisë. Për këtë ushtrim është dizajnuar situata në funksion të asaj që të gjitha agjencive pjesëmarrëse t’iu krijohet mundësia t’i testojnë kapacitete e tyre reaguese në kuadër të misionit të tyre kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mbështetja e partnerëve në funksion të trupave në terren”.

Në emër të Agjencive të Republikës së Kosovës Shpend Tërdeva pasi përgëzoi FSK-në për organizimin e ushtrimit fushor “Shqiponja’6”, të parin e këtij lloji më karakter ndërkombëtar, tha se “ky ushtrim është rast i mirë për demonstrimin e aftësive profesionale në nivel vendi dhe atij ndërkombëtar, për të gjithë pjesëmarrësit dhe përfundimisht do të jetë një rast i jashtëzakonshëm për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta, në raste të nevojave operacionale. Organet mbështetëse të Këshillit të Sigurisë së Kosovës vazhdimisht kanë përcjellë përgatitjen e këtij ushtrimi, sipas fazave dhe tani për së afërmi do t’i vëzhgojnë të gjitha aktivitete operacionale”.

Përfaqësuesi i vendeve partnere pjesëmarrëse në këtë ushtrim koloneli Justin Wagner nga Ajova-SHBA tha se “ky vit është vit historik dhe i veçantë për këtë ushtrim dhe është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës është mikpritëse e një ushtrim fushor të kësaj përmase së bashku me ekipet e specializuara ushtarake të 8 shteteve partnere. Ne kemi detyrë aktive si Gardë Nacionale të përfaqësojmë partnerët ndërkombëtarë gjatë këtij ushtrimi. Ata do të shërbejnë në detyrën e Policisë Ushtarake, personelit mjekësor, inxhinierisë, ekipit të bashkëpunimit civilo–ushtarak, njësive motoristike, çështjeve publike e po ashtu edhe vëzhgues/kontrollues dhe vlerësues të ushtrimit. Kjo vërtetë është një mundësi e veçantë trajnimi për këtë grup nga grupi ndërkombëtar, për të punuar së bashku me partnerët tanë të FSK-së dhe po ashtu edhe me pjesëmarrësit tjerë nga agjencitë institucionale të Kosovës”.

Të pranishëm në konferencën për media ishin edhe përfaqësues nga Shqipëria, Ajova, Mbretëria e Bashkuar, Ushtria Amerikane për Evropë, Turqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi KFOR-i, përfaqësuesit e agjencive të sigurisë dhe emergjencave të Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.

KOMENTE