Filloi shtruarja me zhavorr të rrugës fushore Vërban-Goshicë
/2L ONLINE/ – Me qëllim të krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, Komuna e Vitisë ka planifikuar që gjatë këtij viti të vazhdoj me shtrimin me zhavorr të rrugëve fushore. Në kuadër të këtij projekti sot ka filluar shtruarja me zhavorr e rrugës fushore Vërban-Goshicë në gjatësi prej rreth 820m. Shtruarja e kësaj rruge është më interes të veçantë për fermerët të cilët punojnë tokën për skaj të saj.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Veton Ademi dhe të tjerë kanë vizituar sot punimet që kanë nisur në rregullimin dhe shtruarjen me zhavorr të rrugës fushore Vërban-Goshicë ku edhe u pritën nga banorët e këtyre lokaliteteve, konkretisht nga fermerët të cilët e mirëpritën realizimin e këtij projekti duke e quajtur atë si jetik për zhvillimin e bujqësisë në këto lokalitete.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjerash tha se realizimi i këtij projekti ka qenë i nevojshëm të realizohet qysh kaherë, duke potencuar se kjo rrugë është në interes të lokaliteteve Vërban, Goshicë por edhe Smirë.
“Me këtë projekt pos që lidhën mes veti këto dy fshatra lidhë edhe fshatin Smirë kjo rrugë është edhe në interes të lidhjeve farefisnore por edhe në interes të bujqësisë. Këto fshatra e meritojnë këtë investimi ashtu siç po bëhen edhe investimet e tjera nëpër lagje, si asfaltimi i rrugëve rurale” u shpreh Haliti.
Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë në interes të gjithë qytetarëve pa dallime, duke kërkuar nga këshillat e fshatrave që të bashkëpunojnë me institucionet komunale të Vitisë në përmbushjen e nevojave ./2L ONLINE/
