Prej sot kanë filluar të shpërndahen letërnjoftimet e para biometrike, që është edhe njëri nga kushtet që Kosova po plotëson për liberalizimin e vizave. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bëri të ditur se që nga dita e sotme do të prodhohen vetëm letërnjoftime biometrike dhe nuk do të prodhohen më ato të mëparshmet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se me shpërndarjen e letërnjoftimeve biometrike, prej sot përmbushet edhe një kusht për liberalizimin e vizave. Këto letërnjoftime janë të një kualiteti të lartë, pasi të dhënat që janë në çipin e tij, janë të dhëna të avancuara, që janë obliguese për shtetet e Bashkimit Evropian të përdoren nga viti 2015, tha Rexhepi.
“Qytetarët e Kosovës do të kenë shumë përfitime nga ly lloj letërnjoftimi, për arsyes se me shtetet me të cilat kemi marrëdhënie mund të kalohet kufiri vetëm me letërnjoftim, pa pasaportë. Tash për tash e kemi me Shqipërinë, Malin e Zi dhe po ashtu ka qenë një kusht që edhe me Maqedoninë sa më shpejtë të arrijmë këtë marrëveshje. Ka edhe benifite të tjera që e ka edhe qasjen e sigurt të internetit.”, transmeton RTK.
Ministri Rexhepi bëri të ditur se që nga dita e sotme do të prodhohen vetëm letërnjoftime biometrike dhe nuk do të prodhohen më ato të mëparshmet. Ai sqaroi se dokumentet e vjetra kanë ende validitet, por në fazat e mëvonshme nuk mund të udhëtohet me to.
“Në faza të mëvonshme nëse dikush do të udhëtojë me këto dokumente, nuk mundet me ato letërnjoftime, jo vetëm në rajon por në të ardhmen me pasaportat biometrike kur të fitojmë liberalizimin e vizave. Afati është për tre vjet të furnizohen të gjithë qytetarët, mirëpo është në interes të Kosovës që kjo të kryhet edhe më herët.”
Projekti për prodhimin e letërnjoftimeve biometrikë ka kushtuar 7 milion e 800 mijë euro dhe do të lëshohen rreth 1 milion e 700 mijë letërnjoftime. Ky projekt është paraparë në një afat kohor prej tre vjetësh dhe kostoja për mbulimin e shpenzimeve të përgjithshme është 10 euro.