Filloi ndërtimi i shtëpisë për familjen e veteranit të luftës Zadin Rrahmani
/2L ONLINE/ – Në prani të përfaqësuesve të institucioneve komunale, veteranëve të luftës, udhëheqësve të OVL-së, si dhe nga mërgata, ka nisur sot në Viti ndërtimi i shtëpisë për familjen e Zadin Rrahmanit, veteran i luftës së UÇK-së. Duke marrë fjalën në ceremoninë e vënies së gur themelit, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, pasi ka uruar familjen Rrahmani për shtëpinë e cila do të ndërtohet së shpejti, ka thënë në mes tjerash se është obligim i yni human për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
“Jemi këtu bashkë me institucione të ndryshme si ato të dala nga lufta, mërgata, bizneset dhe ne si institucione komunale, që të kontribuojmë në këtë aksion për ndërtimin e shtëpisë së kësaj familje. Aksione të tilla po merren edhe nga mërgata, siq është rasti në Lubishtë, Smirë dhe do të fillohet edhe në lokalitete tjera ku kërkohet të ndihmohet. Familja e Zadin Rrahmanit meriton një respekt por edhe mbështetje për ta tejkaluar këtë gjendje, sepse kontributi i tij në luftë, duhet të vlerësohet nga të gjithë ne”, ka thënë kryetari Haliti.
Ndërsa Abdyl Bajrami, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Viti, në fjalën e tij ka falënderuar donatorët që po mundësojnë ndërtimin e kësaj shtëpie, njëherit ka përmendur iniciativën që është ndërmarrë duke formuar edhe komisionin në kuadër të degës së OVL-së, për grumbullim të mjeteve. Kryetari Haliti njëherit i ka dorëzuar kryetarit të komisionit për ndërtimin e kësaj shtëpia Kemajl Sabiti , vendimin për mbështetje financiare të këtij aksioni nga ana e komunës. /2L ONLINE/

