(2L ONLINE) – Në Gjilan ka filluar Liga Komunale “Agim Ramadani” në futboll të vogël, u përcoll me interesim të madh nga shikuesit dhe skuadrat pjesëmarrëse. Organizimi i kësaj lige vjen falë një angazhimi të madh të bizneseve gjilanase së bashku me Komunën për ta nderuar heroin kombëtar Agim Ramadani dhe njëkohësisht duke i mundësuar të rinjëve të argëtohen.
Nysret Haziri, organizator i kësaj Lige tha për portalin 2L ONLINE, para fillimit të kësaj lige, se ky është vetëm fillimi i një suksesi dhe se ky event do të zgjerohet në çdo komunë të Kosovës.
“Është një organizim në të mirë të rinisë gjilanase, që ata të kenë vend ku të argëtohen dhe të provojnë vetën në lojën e futbollit. Synimi jonë është që të bëjmë një organizim sa më madhështore dhe në të ardhmen të bëhemi model për Komunat tjera të Kosovës” tha Haziri.
Në emër të familjes Ramadani, foli Jashar Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë organizim dhe se ndjehet i privilegjuar që një Ligë e futbollit po e mban emrin e të vëllait të tij.
“Në të ardhmen e shohë këtë ligë edhe më të madhe. Ky është një organizim i cili na bën të njihemi krenar edhe neve si familje dhe mund të jetë pikënisje pikërisht për një shkollë të futbollit nga e cila mund të dalin shumë talentë si Xherdan Shaqiri që vjen pikërisht nga fshati i Zhegrës”.
Formati i kësaj lige është i ngjashëm me atë të futsallit, pasi luhet me top të sallës. Në ligë janë të paraqitura 16 ekipe dhe do të garojnë deri në fund për të hyrë ne play off.
Ndeshja e parë e kësaj lige u zhvillua ndërmjet Bujanës dhe Vëllezërit Aliu, të cilën e fituan këta të fundit minimalisht 2:1, për të vazhduar me takimet tjera të xhiros së parë.
Çdo vikend pritet ti sjellë futboll të bukur simpatizantëve të futbollit gjilanas, duke u argëtuar me Ligën Agim Ramadani. Portali 2L ONLINE, do të pasqyrojë aktivitetet e kësaj lige.
/Drilon SYLEJMANI/ (2L ONLINE)