Fillimisht kënaqen me bukuritë e natyrës e në fund e degradojnë atë!
/2L ONLINE/ – Osman Ibrahimaj, gjilanasi 75 vjeç, përkundër moshës, vazhdon të jetë mjaftë aktiv me “Vullnetarët e mëngjesit”, të cilët për çdo ditë dalin në fshatin Stanishor, vend ky rekreativ për të ushtruar. Njëkohësisht në këtë vend frekuentojnë edhe shumë qytetarë ditëve të vikendit apo edhe përgjatë ndonjë feste, sepse ky vend është tejet i përshtatshëm për pushim dhe relaksim.
Por, ajo që e shqetëson Ibrahimajn është fakti se në këto shëtitje, apo qëndrim për pushime., një pjesë e qytetarëve-pushues është e papërgjegjshme sepse pas vetes lënë mbeturina të shumta.
Megjithatë, Ibrahimaj thotë se bashkë me shokë të tij nga Grupi “vullnetarët e mëngjesit”, shpeshherë marrin aksion për pastrimin e këtij ambienti.
“E bëjmë këtë sepse vullnetarët e mëngjesit përveç ushtrimeve të tyre përkujdesen përherë që kjo pjesë të jetë e pastër. Jemi për një natyrë të pastër dhe për mbrojtjen e saj, por në këtë drejtim na nevojiten ndihma e qytetarëve, të cilët kur qëndrojnë për pushime në këtë pjesë të bukur që ka Kosova, duhet të jenë të përgjegjshëm. Ndërkohë që edhe institucionet përkatëse duhet të ndërmarri masa ndaj asaj pjese që duket se nuk ia ndien për natyrën”, thotë për 2L ONLINE, Osman Ibrahimaj.
Po ashtu brengë tjetër e këtij të pasionuari pas natyrës është edhe fakti se përskaj rrugës po hidhen mbeturina të ngurta. Dhe se kjo pamje e shëmtuar është vende-vende prej Stanishorit pothuajse deri në Dragancë, fshatra këto të komunës së Artanës.
“Institucionet përkatëse duhet të jenë përherë gati dhe të mos lejojnë një gjë të tillë, ndërsa ndaj atyre që veprojnë në këtë mënyrë duhet aplikuar masat ndëshkuese”, thotë 75 vjeçari Osman Ibrahimaj. /2L ONLINE/

