Figura e atdhetarit Metush Krasniqi përfshihet në pullat postare të Kosovës
Figura e atdhetarit nga Kamenica, Metush Krasniqi, tashmë është përfshirë në emisionin e pullave postare “Personalitete”, të lëshuara nga Posta e Kosovës përmes filatelisë së saj.
Pas vendosjes së shtatores së tij në qytetin e Kamenicës, Komuna bëri një kërkesë zyrtare për përfshirjen e figurës së Metush Krasniqit edhe në pullat postare – kërkesë e cila tashmë është realizuar me sukses.
Duke qenë se veprimtaria atdhetare e Metush Krasniqit është e njohur dhe e çmuar për çështjen kombëtare, prezenca e tij në pullat postare e përforcon dhe dokumenton më tej kontributin e tij të rëndësishëm.
Posta e Kosovës ka bërë të ditur se ky emision përbëhet nga dy pulla postare dhe një Zarf të Ditës së Parë (ZDP), të cilat do të jenë në qarkullim deri në konsumimin e tyre të plotë.
Posta fton koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që të pasurojnë koleksionet e tyre me këto pulla postare, të cilat, përveç vlerës filatelike, përfaqësojnë trashëgimi kombëtare dhe burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. /2LONLINE/
