Figura e Adem Jasharit në optikën hulumtuese -studimore të Fehmi Ajvazit

Figura e Adem Jasharit në optikën hulumtuese -studimore të Fehmi Ajvazit

Kohë më parë Fehmi Ajvazi ,shkrimtar dhe publicist i njohur, nxori në dritë librin studimor me titull:Figura e Adem Jasharit,botues “Lena Graphic Design”, Prishtinë ,2018, recensuar nga Dr. Sulejman Abazi , Dr.Bujar Dugolli dhe Dr.Sevdai Demiri.

Shkruan: Isak AHMETI

Ky libër,të cilin po e marrim në shqyrtim, është shkruar me një teknikë të veçuar, sa të thjeshtë dhe të qartë,po aq edhe të ndërlikuar e shkencore nga pikëpamja e zbërthimit të gjerë e të thellë të figurës së Adem Jasharit (Mirsad Dakaj); libri vjen, jo rastësisht, në përvjetorin e 20-të të Epopesë së UÇK-së.

Në këtë libër, që lexohet me një frymë, është shpalosur trinomia jetësore e figurës së Adem Jasharit apo, siç është shprehur edhe vetë autori, tri karakteristika boshtore,tri shtylla të jashtëzakonshme që e përthekojnë figurën e tij. Këto karakteristika apo shtylla boshtore ,siç shprehet autori,janë:
-dita e lindjes,
-emri dhe
-mënyra e vdekjes.

Këto karakteristika ,ç’është e vërteta,janë sinkretizuar prej një strukture unike dhe padyshim edhe të pazbërthyeshme deri në fund… Adem Jashari ,beson autori, ka qenë një figurë e dhënë,një figurë delikate , një figurë misionare. Janë këto tri shenja të shenjta që,sipas vlerësimit të autorit ,ndërlidhën me figurën e Adem Jasharit. Prandaj jo rastësisht kjo figurë është quajtur:SHENJTORI I LIRISË.

STRUKTURA E LIBRIT

Libri studimor:Figura e Adem Jasharit ,i autorit Fehmi Ajvazi, është strukturuar në tri pjesë , me shtatë kapituj( nr.3 dhe 7 janë të një simbolike biblike) dhe përbëjnë tërësinë e librit ,ku është shpalosur, mjaft bukur,profili i”natyrshëm” dhe i “mbinatyrshëm” i Adem Jasharit. Struktura e librit në fjalë është kjo:

Hyrje

Pjesa e parë, përmban pesë kapituj.

Kapitulli i parë:
KORNIZA E IDENTITETIT
-Shenjat e çuditshme
1.Dita e lindjes,
2.Emri dhe
3.Mbiemri

Kapitulli i dytë
QARKU I NJË KOHE
Krismat e një nate dhjetori
Zanafilla e një Sparte të re

Kapitulli i tretë
MAKTH ROBËRIE
Ëndrra dhe lutje
Imazh I
Imazh II
Imazh III

Kapitulli i katërt
NËN HARKUN E ZI
Lajmëtari
Goditësi legjendar

Kapitulli i pestë
TRI DITË LUFTE
Rrethimi
Tri ditë lufte
Tronditje dhe habi

PJESA E DYTË

Kapitulli i gjashtë
FIGURA E ADEM JASHARIT
Fryma e alternimit
Tipologjia fizike
Faktori gjenetik
Tradita dhe historia
Faktori gjeografik-klimatik
Karakteri
Vetëdija dhe shpirti
Roli patriotik dhe mobilizues
Fenomeni i lirisë dhe i sakrificës
Epiteti i figurës legjendare

PJESA E TRETË

Kapitulli i shtatë
SHENJTORI I LIRISË
Epilog
Kthimi në zanafillë
Kodifikimi

Pse ky libër…?

Librin e tij në fjalë, të strukturuar kështu, autori e ka ndërtuar me shumë përkushtim e pasion, me shumë të dhëna, me shumë të dhëna krahasimtare, për të na dhënë kështu njërën nga figurat më legjendare të Kosovës. Fillim e mbarim libri është shoqëruar me materiale përmbajtjesore , me fakte, me përshkrime, me citime e referenca të mjaftueshme për të konstatuar se figura e tij nuk mund të shpjegohet me asnjë lloj teorie. Në libër ka edhe të dhëna historike-dokumentare,dëshmi krahasuese si dhe metodologji të ndryshme përmes të të cilave është shpalosur me hollësi profili i natyrshëm dhe mbinatyrshëm i figurës së Adem Jasharit.

Ky libër, që është me karakter hulumtues-studiues, përfshin çështje fundamentale, që lidhen me figurën e njërit prej heronjve më legjendarë të popullit tonë dhe se ajo, sipas autorit,nuk mund të shpjegohet deri në fund me asnjë lloj teorie apo ligji shkencor dhe përtej shkencor. Kjo figurë e çuditshme (kështu ma pat karakterizuar vetë autori, në një takim të përbashkët miqësor në Prishtinë,me Sarë Gjergjin, poet elitar dhe studiues i letërsisë) është ndërtuar mbi një sistem të çuditshëm trinometrik. Kjo është theksuar edhe në libër, madje në një formë mjaft interesante dhe bindëse.

Në përmbyllje
Duke u mbështetur në rregulla dhe metoda të caktuara shkrimi dhe studimi, në të dhëna, burime, dëshmi, fakte relevante e të tjera, autori në fjalë, na e ka dhuruar një libër të rrallë, të veçantë, me shumë vlera, për figurën e Adem Jasharit.

Dhe jo rastësisht autori, pas një pune hulumtuese dhe përkushtimi të rrallë, do të konstatojë me të drejtë se Adem Jashari nuk erdhi mes nesh rastësisht. Erdhi , beson autori, si i dhënë…! Dhe si “i dhënë” erdhi mes nesh me një mision të caktuar legjendar-mitik.

Prandaj ,gjithnjë sipas vlerësimit të autorit të librit në fjalë, Adem Jashari personifikon së gjalli dhe pas rënies -flijimit, atributet dhe frymën e figurës së shenjtë! Ky është kryemendimi i autorit, që burimin do ta ketë nga të gjeturat, nga dëshmitë dhe nga elementet e dhuntishme dhe delikate që e shoqërojnë fund e krye figurën e tij.

KOMENTE