Aktivitetet zyrtare që do të jenë pararendëse të Kongresit të 66 të FIFA-s, i cili do t’i zhvillojë punimet në Meksiko Siti, do të nisin me një takim përurues dyditor të Këshillit të FIFA-s, trupës mbikëqyrëse dhe strategjike që përcakton vizionin e kësaj organizate dhe futbollit global.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka nisur procedurat me një raport gjithëpërfshirës të aktiviteteve të tij, që prej takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në muajin mars, ku më së shumti theksohen vizitat e tij në një sërë federatash sportive anëtare.
Por ajo që bie më shumë në sy në këtë raportim është pikërisht vendimi i Këshillit të FIFA-s, që duke u bazuar në statutin e organizmit më të rëndësishëm të futbollit botëror, si dhe në vendimet e fundit të CAS-it të Lozanës, ka pranuar kërkesën për amendimin e axhendës së Kongresit të 66, në mënyrë që të fusë në kalendar edhe aplikimet e Gjibraltarit dhe Kosovës për anëtarësim, bazuar në nenet 15.2 dhe 15.1 respektivisht.
Këshilli i FIFA-s i rekomandon Kongresit të pranojnë Kosovën dhe Gjibraltarin si anëtarët e 210 dhe 211 të FIFA-s, duke konfirmuar më tej se të dyja federatat, nëse anëtarësohen , do të mund të përfshihen automatikisht edhe në Kualifikueset e Botërorit të vitit 2018 në Rusi. Megjithatë, mbi mënyrën sesi apo në cilat grupe do të marrin pjesë, kjo do t’i mbetet UEFA-s për ta përcaktuar.