Këshilli për Çështje Urgjente i Federatës së Futbollit të Serbisë ka diskutuar rreth anëtarësimit të paralajmëruar të Kosovës në UEFA më 3 maj në Budapest.
Federata serbe tashmë e ka të qartë se do ta ketë të vështirë ta pengojë këtë proces, por thotë se do të luftojë deri në fund ta pengojë një gjë të tillë, transmeton “RTKlive.com”. “FFS që nga viti 2012 me të gjitha mjetet juridike në strukturat ndërkombëtare kundërshton fuqishëm dhe lufton kundër idesë që kjo çështje të shtrohet para organeve më të rëndësishme të futbollit evropian. Në këtë aspekt, ne gjithmonë kemi pasur përkrahjen e drejtuesve të UEFA-s e FIFA-s”, thuhet në kumtesën e Federatës serbe.
Mirëpo, FSS e pranon se tashmë pozita e tyre është vështirësuar dukshëm pas anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe shumicës së federatave sportive të Kosovës në ato ndërkombëtare. “Por, pozita e FSS-së është vështirësuar. Praktikisht, futbolli ka mbetur thuajse sporti i vetëm i të ashtuquajturit shtet të Kosovës që nuk është anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, për çka FFS është më meritorja. Të rikujtojmë se federatat sportive të ashtuquajturit shtet të Kosovës krahas anëtarësimit në KON, janë bërë edhe pjesë e familjes botërore të basketbollit, të hendbollit, tenisit, atletikës, notit dhe sporteve tjera dhe kësisoj rrethanat sa i përket futbollit janë bërë shumë komplekse”, thuhet tutje në kumtesën e Federatës serbe.
http://www.rtklive.com/?id=4&r=62587