FFK: Urime FC Drita kualifikimi në raundin e tretë të UEFA Conference League
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ka uruar FC Drita, për suksesin e arritur duke u kualifikuar në raundin e tretë të UEFA Conference League.
Në postimin e FFK-së thuhet:
FC Drita siguroi kalimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, pasi triumfoi ndaj skuadrës nga Malta, Floriana, me rezultat 2:1, pas 120 minutave lojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Maltë dhe përfundimit të kohës së rregullt në ndeshjen e kthimit me të njëjtin rezultat, kampionët tanë treguan karakter, forcë dhe mentalitet fituesi në vazhdime. Edhe pse ishte në disavantazh 0:1, Drita reagoi në mënyrën më të mirë, përmbysi rezultatin në 2:1 dhe me plot meritë siguroi kualifikimin në fazën e radhës të kësaj gare.
Përgëzime futbollistëve, stafit teknik, drejtuesve të klubit dhe tifozëve “Intelektualët” për këtë sukses, që nderon jo vetëm klubin, por edhe futbollin e Kosovës.
FC Dritës i urojmë shumë suksese në raundin e tretë të UEFA Conference League dhe paraqitje edhe më të mira në vazhdim dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të futbollit të Kosovës, thuhet në njoftimin e FFK-së. /2LONLINE/
