DYLON

FFK reagon për ndeshjet ilegale në futbollin e Kosovës

FFK reagon për ndeshjet ilegale në futbollin e Kosovës
Avatar photo Elife Sherifi

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një reagim për ndeshjet ilegale që po luhen në futbollin e Kosovës nga strukturat serbe.

Shtëpia më e madhe e futbollit kosovar ka dënuar organizimet e këtyre ndeshjeve, derisa ka kërkuar nga institucionet shtetërore të marrin masa.

Reagimi i plotë i FFK-së:

EkoHigjiena

Federata e Futbollit e Kosovës reagon ashpër ndaj ndeshjeve ilegale në futboll dhe improvizimin e garave në territorin e Republikës së Kosovës nga struktura ilegale në veri të vendit. FFK ju bën me dije të gjithëve se ky është një mashtrim dhe njëherësh nxitje e problemeve për popullatën në veri të vendit, ngase improvizime të tilla më nuk do të lejohen.

Ditë më parë në mediat serbe bëri bujë lajmi për inkuadrimin e të ashtuquajturit ‘FK Trepca’ nga Mitrovica e Veriut në një rang më të lartë të garave nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë.

FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF “Trepça’89”, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF “Trepça” që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër.

Prandaj, FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit.

FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s.

FFK kërkon nga të gjitha institucionet, presidenti, kryeministri, ministria e sportit dhe grupi negociator për dialog me Serbinë që të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare, pasi veprimet e tilla janë mashtruese dhe qëllimkëqija për popullatën e asaj pjese të qytetit të Mitrovicës me rrethinë.

Në rast se edhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të tilla pa lejen e FFK-së, atëherë është e domosdoshme ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ndalimin e tyre.

Edhe një herë rikujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës është organizata e vetme kompetente që organizon, udhëheqë dhe rregullon garat në futboll në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është themeluar në principet e frymës sportive dhe ‘fair-play’-t dhe njëherësh si e tillë edhe është anëtarësuar në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016.

FFK është e hapur për anëtare të reja dhe fton klubet e të gjitha komuniteteve që funksionojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës që të regjistrohen në institucionet shtetërore të Kosovës dhe të përfshihen në garat që organizohen nga FFK. Njëherësh, FFK, në mbështetje të institucioneve të sigurisë u garanton të gjitha klubeve pjesëmarrëse siguri dhe ‘fair-play’ në gara.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.