(2LONLINE) – Drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës ( FFK), nënkryetarët Agim Ademi e Bekim Haxhiu bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, krejt kjo në kuadër të përpjekjeve të FFK-së që bashkë me Policinë e Kosovës të ndërtohet një strategji për të forcuar sigurinë në ndeshjet e futbollit, veçmas tash pas disa incidenteve që ndodhën në terrenet e futbollit.
Krerët e FFK-së e njohën Maxhuni për vështirësitë e klubeve që të sigurojnë ndeshjet e futbollit dhe me mungesën e dukshme të numrit të vogël të pjesëtarëve të policisë, që për momentin aktual kërkohet një numër më i madh i tyre. Policia e Kosovës do të mund të ndihmonte edhe më shumë FFK-në në mbarëvajtjen e garave, sidomos në aspektin e sigurisë, kur kemi tendenca të shtimit të dhunës dhe huliganizmit në sport.
Në këtë drejtim, krerët e FFK-së kanë kërkuar që të bëjnë bashkërenditjen e veprimeve, ndërmjet klubeve, organeve komunale që të përmirësohet gjendja e sigurisë si dhe të hartohet një strategji e parandalimit të dukurive negative në futbollin e Kosovës në mënyrë që garat të kenë rrjedhë normale.
Nga ana E TIJ drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni u ka premtuar zyrtarëve të FFK-së që Policia e Kosovës, përkundër angazhimeve të mëdha në sigurinë e shtetit, do të bëjë çmos që të shtojë kapacitet e sigurisë në ndeshjet e futbollit dhe do të ndihmojë FFK-në në kapërcimin e situatave të shfaqjes së dhunës, madje do të kërkohet edhe azhuriteti i Prokurorisë së shtetit, ndaj rasteve, kur kërkohet ndalimi i personave që shkaktojnë incidente dhe dhunë në futbollin e Kosovës. Do të shtohet edhe numri i pjesëtarëve te policisë në ndeshje.
Të dyja palët shprehën nevojën e miratimit të Ligjit kundër huliganizmit që do të ndihmonte në ndjekjen dhe dënimin e huliganëve kudo që ata mund të krijojnë situata që rrezikojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe të jetës së njerëzve. Po ashtu bashkëbiseduesit u pajtuan që të ketë edhe takime të tjera në të mirë të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në ndeshjet e futbollit. /2lonline/