FFK i ka dhënë fund bashkëpunimit me përzgjedhësin e Kombëtares, Bernard Challandes

FFK i ka dhënë fund bashkëpunimit me përzgjedhësin e Kombëtares, Bernard Challandes

Federata e Futbollit e Kosovës sot i ka dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin zviceran, Bernard Challandes në rolin e përzgjedhësit të Kombëtares.

 Një vendim i tillë është bërë i ditur për opinionin në një konferencë për media ku ishin të pranishëm presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Bernard Challandes, njofton FFK.

Presidenti Ademi njoftoi se pas bisedës me trajnerin zviceran kanë ardhur në përfundim për t’i dhënë fund bashkëpunimit të deritashëm. Ai e ka falënderuar përzgjedhësin Challandes për punën e mirë në drejtimin e Kombëtares, veçmas në Ligën e Kombeve.

 “Duke i pasur parasysh objektivat tona, me marrëveshje të përbashkët kemi vendosur për t’i dhënë fund bashkëpunimit në rolin e përzgjedhësit. E falënderojmë Challandes për punën e tij, pasi ajo çfarë kemi bërë në Ligën e Kombeve ka qenë historike, por më pas gjatë rrugës nuk i kemi përmbushur objektivat”, ka thënë Ademi.

Ndërkaq, Challandes është shprehur i mërzitur që më nuk do të jetë ‘timonier’ i Dardanëve, teksa ka thënë se ka kaluar kohë shumë të mirë me të gjithë në Kosovë. “Kishim synim në fillim të ndërtojmë një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me punën që e kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me ketë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës”, ka thënë ai.

Challandes ka thënë se është i mërzitur vetëm për shkak të rezultateve.

“Shpresoj të kthehem t’i shoh ndeshjet e Kosovës në te ardhmen pasi besoj se tashmë e kemi ndërtuar hapin e parë dhe për të arritur të dytin nuk është aspak lehtë“, ka shtuar Challandes, i cili ka falënderuar presidenti Ademi, stafin e FFK-së, lojtarët dhe tifozët Dardanët për mbështetjen e vazhdueshme, njofton FFK.

KOMENTE