Festivali “N’Rrot Fest” ndihmon 22 familje skamnore

Festivali “N’Rrot Fest” ndihmon 22 familje skamnore

Festivali muzikor “N’rrot Fest”, Edicioni i Parë, event ky me karakter social, përveç argëtimit dhe festës gjatë mbrëmjes kur edhe u mbajt, frytet më të mira i dha pas realizimit.

Kjo pasi me të hyrat e këtij festivali u ndihmuan rreth 22 familje në nevojë në Komunën e Gjilanit.

Dorëzimi i  pakove me produkte elementare ushqimore u bë nga vullnetarët e këtij festivali të shoqëruar nga menaxheri, Qëndrim Kqiku.

Në këtë rast, menaxheri Qëndrim Kqiku, tregoi për Portalin 2LONLINE se lista e familjeve përfituese u formua nga vullnetarët e festivalit, në bashkëpunim me Qendrën për Punë dhe Mirëqenia Sociale dhe Kryqit te Kuq, dega në Gjilan.

“Nga të hyrat dhe pagesa e secilit pjesëmarrës po ndihmohen familjet me kushte të vështira në Komunën e Gjilanit dhe në këtë fundvit secila nga to mund të ketë sadopak ushqim për darkët e ndërrimit të motmoteve. Kemi bashkëpunuar me Qendrën për Punë Sociale dhe Kryqin e Kuq, të cilët na kanë orientuar tek familjet, e që i falënderojmë për kontributin. Pakot ushqimore me produkte elementare janë dhuratat e festivalit “N’rrot Fest” dhe shpresojmë që këtë do të bëjmë çdo vit. Nga ajo çfarë pamë në teren kuptuam se kjo është faza më domethënëse e projektit, e cila do na shtyjë të punojmë çdo vit, pasi, pak nga ne do të thotë shumë për ata, sidomos në këto ditë të ftohta dimri”, ka thënë Kqiku.

Përfituese të pakove ushqimore ishin jo vetëm familjet me kushte të vështira ekonomike, por edhe ato që kanë në përkujdesje fëmijë të braktisur, persona me aftësi të kufizuara e nënat vet ushqyese.

Sipas menaxherit, Kqiku, pakot ushqimore u shpërndanë në qytetin e Gjilanit dhe në rrethinë si Stanishor, Lipovicë, Llashticë si dhe në Lagjen e Vishnjave.

Përndryshe, Festivali Muzikor “N’rrot Fest” u mbajt në Gjilan, me organizator Albert Fazliu, gjersa performuan 7 artistë të dëshmuar. Ky event pritet të mbahet çdo vit tradicionalisht në Gjilan.

Edhe menaxheri Kqiku uroi që ky festival të ketë popullaritet nga viti në vit, gjersa as përkushtimi nga stafi organizativ dhe surprizat nuk do të mungojnë. /Elife SHERIFI/

KOMENTE