DYLON

Festivali “Lyra” në Gjilan: 17 vite magji muzikore për fëmijë

Festivali “Lyra” në Gjilan: 17 vite magji muzikore për fëmijë
Avatar photo Redaksia

Mbrëmja e 1 Qershorit në Gjilan solli emocione, art, buzëqeshje dhe shumë talent në edicionin e 17-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë “LYRA” – festivalit të parë të këtij lloji në Anamoravë, i cili tashmë prej 17 vitesh vazhdon të mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme muzikore për fëmijë në Kosovë.

Në këtë edicion u prezantuan 17 këngë të reja, të papublikuara më parë, me pjesëmarrës nga të gjitha qytetet e Kosovës. Gara u zhvillua në dy kategori dhe u karakterizua nga një frymë moderne artistike, me këngë bashkëkohore, interpretime të fuqishme dhe realizim skenik mbresëlënës.

EkoHigjiena

Nën drejtimin artistik dhe organizativ të drejtorit të festivalit, Kushtrim Jakupi, skena e “LYRA 2026” u shndërrua në një spektakël të vërtetë teknologjik dhe vizual, e pasuruar me animacione, grafika moderne dhe skenografi dinamike që i dhanë festivalit dimension evropian.

Mbrëmjen e udhëhoqi me profesionalizmin dhe karizmën e tij aktori dhe moderatori i njohur kosovar Fatmir Spahiu – Bufi, i cili edhe kësaj radhe ishte në nivelin më të lartë artistik.

Festivali u hap simbolikisht me këngën “1 Qershori”, duke përçuar mesazhin e bukur të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe vetë misionin që mbart “LYRA” prej vitesh – promovimin e botës së pastër dhe kreative të fëmijëve.

Programi artistik u begatua edhe me performancat energjike të grupit “Dancing House”, të cilat sollën ritëm dhe atmosferë festive gjatë gjithë mbrëmjes.

Një nga momentet më emocionale të natës ishte interpretimi live i Kira Demolli dhe Albina Jakupi Demolli – nga vajza dhe mbesa e profesorit të ndjerë, ikonës së muzikës për fëmijë prof. Isa Jakupi. Kjo këngë, e rikthyer pas shumë vitesh, shërbeu si një homazh prekës për njërin nga themeluesit e festivalit dhe për krijimtarinë e tij me vlera të jashtëzakonshme artistike e edukative.

Para shpalljes së fituesve, organizatori rezervoi edhe “Minutat e Talenteve”, ku publiku pati rastin të shijojë interpretime të jashtëzakonshme instrumentale nga Blodin Canaj në perkusione, Puhiza Sadiki në piano dhe Orhidea Jakupi në violinë.

Juria profesionale, e përbërë nga muzikologu Sami Piraj, redaktorja e muzikës Shqipe Spahiu dhe pedagogia universitare Anna Frangu, vlerësoi lart nivelin artistik të festivalit, duke potencuar se të gjitha këngët ishin fituese, sepse ishin pjesë e festivalit më të mirë për fëmijë në Kosovë, ndërsa fituesit u përcaktuan vetëm nga nuancat artistike.

FITUESIT E “LYRA 2026”

Kategoria II
Çmimi i Parë – Linea Hasani
Solistja më e mirë – Aria Rrahmani
Çmimi i Publikut – Lea Qehaja
Çmimi Special “Lyra 2026” – Melos Morina
Interpretimi më i mirë – Reina Hyseni
Çmime të dyta – Klejdi Abazi & Noene Krasniqi
Çmimi i tretë – Liana Bllaca

Kategoria I

Çmimi i Parë – Amra Salihu
Solistja më e mirë – Liana Berisha
Çmimi i Publikut – Qelesta Morina (5 vjeç)
Çmimi Special “Lyra 2025” – Hana Abazi
Çmimi Special “Prof. Isa Jakupi” – Vlona Sahiti
Çmime të dyta – Bora Salihu & Andra Selimi
Çmime të treta – Anila dhe Nila Hasani

Mbrëmja u përmbyll me interpretimin e këngës fituese të kategorisë së parë, mes duartrokitjeve të gjata dhe emocioneve të publikut.

Këtë vit qmimi “LYRA” për personalitete të cilat kontribuan në fushën e muzikës ju nda profesor Zekë jusufit – për kontribut në edukimin e shumë brezave në fushën e muzikës. Plaketi ju nda nga drejtori i festivalit z. Kushtrim Jakupi.

Drejtori i festivalit, Kushtrim Jakupi, u shpreh shumë i kënaqur me rrjedhën organizative, nivelin artistik dhe kualitetin e këngëve, duke falënderuar përzemërsisht të gjithë mbështetësit e festivalit: Komunën e Gjilanit, Bankën TEB, RTK-në, prindërit dhe të gjithë ata që vazhdojnë ta mbështesin rrugëtimin e “LYRA”-s.

“LYRA” vazhdon të mbetet një skenë ku lindin ëndrra, kultivohet arti dhe frymëzohen gjenerata të reja artistësh. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.