Femrës gjilanase nuk po i mundësohet të jetë faktor i rëndësishëm në vendimmarrje

Edhe pse është e rregulluar me ligjin për barazi gjinore që femra të përfaqësohet me 30 për qind, megjithatë ky fakt nuk i bënë të mundur femrës kosovare, gjegjësisht asaj gjilanase që të jetë faktor i rëndësishëm në vendimmarrje.

Përkundër faktit se në komunën e Gjilanit ka shume femra, gra, nëna që janë kuadro profesionale, janë aktive dhe të dëshmuara, atyre nuk po u mundësohet të jenë faktor i rëndësishëm në vendimmarrje dhe kjo më së miri vërehet edhe me rastin e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve për shkollat e Gjilanit, ku në këtë përzgjedhje kemi vetëm një drejtoreshë dhe një zëvendësdrejtoreshë.

Kjo është e papranueshme. Shihet qartë se në këtë qeverisje lokale të Gjilanit, femrës gjilanase nuk po i mundësohet që të jetë faktor i rëndësishëm në vendimmarrje, sipas rolit që ka në familje dhe shoqëri.

Po ashtu Ligji për Barazi Gjinore nuk po respektohet nga udhëheqja aktuale e pushtetit lokal, qoftë edhe në atë qendror, andaj të gjitha këto barriera dhe sfida tjera e vështirësojnë kandidimin, angazhimin, zgjedhjen dhe pjesëmarrjen e natyrshme te femrës në institucione dhe pozita vendimmarrëse.

Andaj, duhet se pari një vetëdijesim institucional, angazhim i grave në politikë dhe shoqërinë civile dhe mekanizmave të tjerë të institucioneve dhe shoqërisë sonë që këto sfida të evitohen dhe zvogëlohen në masë të duhur, që vërtetë femra ta ketë vendin e merituar si shtyllë e familjes dhe shoqërisë. /2lonline/

Autorja është deputete e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) në Parlamentin e Kosovës

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0