Fëmijët në mëshirë të rrjeteve sociale – Kur prindërit humbin rolin, shoqëria humb të ardhmen!
Shkruan: Arlind Vokshi
Në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e qartë se fëmijët po rriten në mëshirë të fatit dhe të rrjeteve sociale. Që nga mosha 10-vjeçare, ata hapin llogari në platforma të ndryshme shpesh me vetë iniciativën e prindërve dhe i përdorin pa asnjë lloj kontrolli. Në vend që të jenë të mbrojtur, fëmijët ekspozohen çdo ditë ndaj përmbajtjeve të dëmshme, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës online.
Një rast që tronditi Gjilanin
Ngjarja e fundit në Gjilan, ku disa adoleshente rrahën një bashkëmoshatare, e incizuan videon dhe e shpërndanë për ta poshtëruar publikisht, është dëshmi e një realiteti të hidhur. Ky nuk është një incident i izoluar raste të ngjashme ndodhin çdo ditë, shpesh pa u raportuar. Viktimat përballen në heshtje me bullizëm të vazhdueshëm, ndërsa autorët shpesh mburren me veprimet e tyre në internet.
Prindërit kujdestarë të dorëhequr
Kjo situatë tregon se shumë prindër kanë humbur rolin e tyre themelor: kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Disa madje krijojnë vetë kushte për degjenerim, duke u dhënë fëmijëve pajisje teknologjike pa kufizime dhe duke mos e ndjekur nga afër aktivitetin e tyre online. Në vend që rrjetet sociale të përdoren si mjet për edukim dhe zhvillim, ato po kthehen në një terren ku mbillet dhuna dhe mungesa e respektit.
TikTok – platforma më problematike
Në këtë kontekst, TikTok-u është ndër platformat më të kritikuara. Përmbajtjet virale në të shpesh promovojnë dhunë, poshtërim publik, trende të rrezikshme dhe antivlera. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë kërkohet mbyllja e kësaj platforme ose vendosja e kufizimeve strikte për përdorimin e saj nga të miturit.
Ky nuk është vetëm problem i një familjeje, një shkolle apo një qyteti – është një çështje kombëtare që prek të ardhmen e vendit. Nëse nuk veprohet sot me vendosmëri, brezi që po rritet do të marrë me vete plagët e një fëmijërie të kaluar në mes të dhunës, poshtërimit publik dhe mungesës së edukimit të shëndoshë. Dhe atëherë, fajin nuk do ta kenë vetëm rrjetet sociale – por të gjithë ne që heshtëm. /2LONLINE/
