Feja në shkolla: Me këtë strukturë dhe këto rrethana, një “JO” të madhe!
/2L ONLINE/ – Arianit Sllamniku, që dikur drejtonte Partinë e Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, kishte ngritur disa herë zërin, duke përfshirë edhe ato nëpër fushata elektorale, ku kishte kërkuar me ngulm futjen e lëndës fetare në shkollat tona. Por, tani kur kjo çështje është aktualizuar, pas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, për futjen e lëndës fetare në shkolla, dhe më pas refleksionet edhe në Kosovë mbi këtë çështje, Sllamniku tani shprehë një qëndrim më ndryshe.
“Po, është e vërtetë se më parë kam qenë pro futjes së lëndës fetare në shkollat tona dhe këtë e kam shprehur hapur kudo përgjatë aktivitetit tim politik, por tani kam mendim ndryshe pas krijimit të rrethanave të reja, e sidomos daljes në pah të ekstremizmave fetarë të cilët frymëzimin kryesor e morën nga ligjërata e ndryshme nëpër shoqata, ku ligjëronin persona të cilat nuk ishin të thirrur në aspektin profesional për ta bërë një gjë të tillë. Po ashtu edhe nëpër disa xhami tona, ligjërohej jashtë programit dhe dokumentacionit bazë të Bashkësisë islame të Kosovës, gjegjësisht promovimit të rrymave të ndryshme me çka edhe radikalizmi i rinisë mori hov”, thotë Sllamniku, për Portalin 2L ONLINE.
Ai shton tutje se edhe vet lënda fetare, duhet të ligjërohet dhe të shpjegohet nga ata që e njohin fenë, dhe pikërisht modelin e tillë e kemi edhe nëpër shkollat e Luginës së Preshevës, ku lëndën fetare e ligjërojnë teologët, e që në rastin tonë do të mund të kishte më shumë dëm sesa dobi, nëse i referohemi ligjëruesve, ligjërimit dhe ligjëratave të cilat e radikalizuan shoqërinë tonë.
Sipas Sllamnikut, kuadrot të cilat do të duhej të dilnin për të ligjëruar lëndën e tillë ,sigurisht se do të duhej të ishin produkt edhe i Fakultetit të Studimeve Islame, i cili deri para ca vitesh figuronte brenda juridiksionit të Universiteti të Prishtinës, por që tani më edhe zyrtarisht është shndërruan një institucion të regjistruar si OJQ, dhe që në fakt, ngritja e cilësisë së institucionit arsimor nuk mund të vlerësohet, për shkak të këtij degradimi të bërë prej një institucioni shtetëror, në një OJQ vendore.
“Janë këto arsye që unë jam kundër futjes së lëndës fetare në shkollat tona, pasi që anarkia e cila mbretërore brenda institucionit fetar islam nuk dua që të bartet edhe në institucionet publike shtetërore të vendit tonë, në të cilën fokus kryesor do të jenë fëmijët tanë, që presin të mësojnë nga kjo lëndë, tepër e nevojshme për etikën dhe moralin e tyre”, thotë Sllamniku. /2L ONLINE/
