Feja, kombi dhe e tanishmja jonë moderne

Mustafa Bajrami

Ky artikull mund të jetë tërheqës edhe për ata që fesë i rrinë karshi, sidomos për a-gnostikët dhe nacionalistët të cilët me vështirësi besojnë në fondamentet e fesë. Artikulli do të kuptohet më mirë nëse i njëjti lexohet me bindjen se feja nuk mund të anatemohet çoftë për shkak të politikave të gabueshme të atyre që flasin në emër të saj, çoftë për shkak të atyre që mohojnë rolin social të fesë. Në një shoqëri si kjo e jona ku nacionalizmi ende nuk është i definuar përfundimisht, qasja ndaj fesë shumë herë është e gabueshme.

Po nisemi nga Lindja, por, fillimisht të pyesim:

Çka është duke ndodh me fenë tek ne dhe cila është e vërteta: dobësimi apo përhapja e saj? Nëse është e vërtetë se feja po dobësohet, atëherë përse, e nëse po përhapet, sa dhe çka përfitojmë nga përhapja e saj? Këto pyetje janë të rëndësishme por më e rëndësishëm  është shtjellimi i tyre; drejtë dhe sa më shpejt!

Lindja është djepi i religjioneve. Edhe pse jeta e popujve të orientit ende pretendon të jetë e udhëhequr nga besimet fetare, faktet tregojnë për një dobësim të jetës religjioze atje e sidomos në Perëndim. Themi këtë sepse të përziet feja me religjiozitetin ndaj diçkafit apo orthodoksizmi me besëtytnitë e që me gjuhën e shkencës quhet supersticion, nuk është e drejtë. Jeta fetare jo gjithherë praktikohet si duhet. Njeriu zakonisht udhëhiqet nga një masë e caktuar e vetë-përmbajtjeve të nxitura nga instinktet biologjike që kryesisht paraqiten si nxitje e një shpirti funksional i mbështetur në moralizëm pozitiv dhe i krijuar përgjatë përvojës së gjatë të tradicionalizmit social. Nga ky këndvështrim duhet shikuar edhe lëvizjet e këtyre viteve të fundit që bëhen për dhe kundër fesë. Në kuptimin e zakonshëm, besimi (iman), ritualizimi (ibadet) dhe përvoja religjioze (texhrube el dinije) nga forma e jashtme e tyre për njeriun religjioz konsiderohen ushqimi kryesor spiritual. Nuk është gabim të thuhet se energjia e civilizimit modern në masë ka ndikuar në dobësimin e energjisë së besimit edhe tek njerëzit më religjioz. Themelet e kërkesave dhe nevojave që njeriu i kishte më parë janë lëkundë, ndërsa nevojat dhe kërkesat e reja ende nuk po realizohen. Stresi u shtua sidomos kohëve të fundit pas përhapjes së automatizmit ku e kaluara po i nënshtrohet një provimi të rëndë. Edhe raportet e vjetra shoqërore (tradicionalja) ose janë shkatërruar ose janë në rrugë të një shkatërrimi rapid. Lidhjet familjare gjithashtu janë lëkundur. Individët individualisht janë përqendruar para kompjuterëve dhe celularëve më shumë se që pëlqejnë jetën kolektive. Aspektet fetare të cilat ndërlidhen me jetën familjare dhe shoqërore gradualisht po veniten; Civilizimi modern ka intensifikuar luftën për ekzistencë ndërsa kodi prevalent i tij ” Everyone for himself and devil take the hindmost” (Secili për vetveten dhe djalli për të fundin) sa vjen e forcohet. Transformimet e jetës së njeriut kanë marrë kahe të gabueshme. Paraja është bërë postulat për të tanishmen dhe ka frikë se e njëjta do të ndodh edhe në të ardhmen e afërt. Raporti i intelektualit me dijen po dobësohet ndërsa dija po ndjehet e anashkaluar nga intelektualët. Bindja e intelektualit modern në para është thelluar dhe po merr formë të çuditshme. Aspektet religjioze në jetën intelektuale janë të zbehta. Kur i thuhet intelektualit se feja është diçka e çmuar, sepse është e natyrshme për nga përmbajtja ndërsa e mbinatyrshme për nga prejardhja, reaksioni i parë i tij ka ton mosbesimi. Për te, natyra materiale është primat, ndërsa mbinatyra dhe matanënatyra i takojnë imagjinatës dhe besëtytnive. Nëse provohet të kuptohet feja, gjithë ajo që mund të thuhet dhe vlerësohet si e dobishme është aspekti moral i saj, andaj edhe mund të çmohet ndonjë prijës fetar vetëm për shkak të rolit patriotik të tij dhe jo më shumë.

A thua a janë politikat ditore dhe të mirat materiale si të vetme të mjaftueshme për jetë më të mirë, me prosperitet dhe që garantojnë qetësinë shpirtërore? Sa jemi të kënaqur në jetën tonë, të pasurit, të varfrit, udhëheqësit dhe gjithë të tjerët? Edhe nëse vala e zhvillimeve shkencore të shekullit 20 në dekadat e fundit ka shpallur Perëndimin “Zot” të natyrës, ajo ende nuk ka arrit të reduktoj problemet sociale. Mendojmë se nevoja për ndihmë nga jashtë hemisferës njerëzore po shtohet. Aspekti spiritual është lënë në harresë, andaj gati të gjithë po vuajnë, të gjithë janë në kërkim të asaj që ende nuk po mund ta gjejmë në përditshmëritë tona. Askush nuk dyshon në atë se mbisundimi i natyrës i viteve të fundit ka tejkaluar edhe imagjinatën e dijetarëve më të mëdhenj qa kanë jetuar në të kaluarën. Materialistët e mëhershëm besonin se me zhvillimet shkencore do të zgjidhen problemet tona. Ndoshta patën të drejtë. Zhvillimi teknologjik njeriun nuk e mashtroi; atij i prezantoi një sërë të mirash materiale. Ne u mashtruam kur besuan se këto zhvillime do të rregullojnë e në fund ndoshta do të zhdukin problemet morale dhe shpirtërore të cilat dita ditës po shtohen. Asnjëherë më parë nuk ka pasur ngatërresa sa ka sot, asnjëherë më parë nuk ka pasur shkurorëzime sa bëhen sot dhe asnjëherë më parë vetëvrasjet nuk kanë kërcënuar njerëzimin më shumë se sot. Bota edhe më tutje vetëm pjesërisht po vëren se morali dhe aspekti spiritual janë po aq  të vlefshme sa edhe nevoja e ngopjes së instinktit biologjik. Luftërat e fundit, sidomos ato serbe mbi popujt e pambrojtur të Ballkanit mjaftueshëm flasin për një çrregullim moral dhe psikik të raporteve mes shpirtit dhe fizikut të qenies njerëzore. Ndasitë mes popujve thuajse asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha se sot, kudo në planetën tonë. Zënkat mes profileve të ndryshme, mes shoqërive, popujve dhe civilizimeve janë në rritje të vazhdueshme. Në mungesë të asaj që duhet, ka kohë që njeriut iu servua për ushqim nacionalizmi në vend se të promovoheshin vlerat e larta hyjnore. Doktrinat nacionaliste të svetisavëve që në fund të fundit justifikonin veten si të drejta e të cilave u paraprinin filozofitë e çmendura të qubrilloviqëve e andriqëve, Ballkanit e sidomos popullit shqiptar i shkaktuan dhimbje të mëdha. Në mungesë të një Niche i cili kishte hedhur teorinë e paraqitjes së super-njeriut me çizme të gjata me maje dhe i cili do të shqelmonte vlerat antinjerëzore të këtyre doktrinave të çmendura, shqiptarët disi u inspiruan më shumë t’i kthehen Zotit, por, e gjithë kjo nuk është e vetmja. Ky kthim kaq i shpejtë, ndonjëherë i gabueshëm në koncept dhe disa herë i frymëzuar me forma ekstreme që në fakt feja duhet të jetë mesi i artë mes skajshmërive, shoqërinë shqiptare e zuri gaf karshi sfidave moderne me dinamikë në shpejtësi marramendëse. Kthimi kah feja për shqiptarët mund të jetë përgjigje adekuate ndaj nevojave jetike të së tashmes të cilat nuk po mund të plotësohen.  Brohoritjen nëpër shekuj të Shekspirit “To be or not to be”, shqiptarët e ndjenë thellë dhe e përkthyen si moto për të mbijetuar katrahurat e kohës. “T’i mbështetemi Zotit apo të mos ekzistojmë” u bë moto e shumë të rinjve, përderisa kthimi kah vetvetja sa shkon e venitet. Prijësit e institucioneve fetare bëjnë garë për interesa të ngushta ndërsa punën e fesë ua lanë të tjerëve. Paraqitja e organizmave “privat” që merren me sekuencat më vitale të shoqërisë, janë në duart jo profesionale e të cilat fare pak kontrollohen. Pak kush e di se ku është burimi, kah shkon rrjedha dhe ku përfundon misioni i shoqërive civile. Shoqata të shumta, organizma dhe organizata nga më të ndryshmet janë bërë modë dhe moduse për të rinjtë tanë që kanë humbur pusullën mbi detin e jetës. Ka frikë se energjia për të promovuar kombin është zbehur nën hijen e nevojës për të mbijetuar, kësaj radhe, jo më si shqiptarë, por vetëm si qenie biologjike. Edhe pse e dhimbshme për tu thënë dhe aspak e lehtë për tu shkruar, ky rend i ri botëror, specifik për Ballkanin, me sa duket, me këtë trend të zhvillimeve nuk do të jetë në dobi të shqiptarëve. Përqafimi në masë i fesë, fetarizimi i gati të gjitha segmenteve të jetës, numërimi i përditshëm i vuajtjeve, çrregullimeve dhe mjegullimi i së ardhmes është bërë përditshmëri e të rinjve shqiptarë.  

Gjithandej, edhe thirrjet për ndërrimin e historisë si dhe qëndrimet tona të pa ratifikuara mirë shkencëtarisht janë cilësi të një shoqërie që po humb  identitetin e krijuar nëpër shekuj. Shqiptarët që dikur mburreshin me historinë e vet dhe historia mund të jetë mburrur me ta, sot, për fat të keq janë vënë në pozita të detyrueshme të pranojnë fakte të hidhura se ajo që u kërkohet sikur ajo që “vet” e kishin shkruar, janë damka të një moraliteti skllevërish. Në vend se shqiptarët të promovonin fenë si mekanizëm me rol të komb-formimit, njëjtë siç kishte vepruar profeti arab i Islamit, Muhamedi a.s., sot feja në trojet shqiptare sulmohet për shkak të fitoreve të saj dhe humbjeve të nacionalizmit. Beteja e nacionalizmit kundër fesë po artikulohet në kërkesën për shtypjen e fesë, e jo të ratifikimit të mirëfilltë në segmentet sociale të shoqërisë. Edhe përpjekjet për të përshkruar Perandorinë Osmane si vrasëse dhe gjakatare janë përpjekje që kundërmojnë luftën kundër fesë, shumicë tek shqiptarët. Nga ana tjetër, edhe shkrimet dhe fjalimet shumë herë të ashpra, skandaloze kundër feve tjera, kundër njerëzve që nuk praktikojë fenë sikur edhe kundër të tjerëve që njohin veten për ateistë, janë bërë tipare të një përditshmërie shqiptare në të cilën të gjithë janë në luftë kundër të gjithëve. Pyesim: Kah jemi duke shkuar dhe kah duhet të orientohet shqiptarët: Të tejkalojnë dhe anashkalojmë limitet e nacionales dhe nacionalizmit e nga andej të dalin në rrafshet internacionale ku kombet humbin peshën e tyre? Përgjigja jonë është negative. Assesi. Përpjekjet tona për emancipimin kombëtar duhet të intensifikohen. Ne jemi në lojë me nacionalistët e kombeve tjerë, por gjithashtu nuk duhet pushuar së kërkuari vlerat e larta ndër-njerëzore. Të arrihet e gjithë kjo nuk është çështje dite, as jave e as muaji. Duhet bërë shumë punë, duhet analizuar thellë aspektet sociale të fesë që do të ishin vu në shërbim të qenies sonë, duhet analizuar historia jonë kombëtare dhe që të dyja këto të filtroheshin nga barbarizmat dhe sekuencat e dëmshme dhe të panevojshme për të ardhmen tonë. Edhe bërthama e fesë duhet ndarë nga besimi gjysmak spektral si dhe nga besimet pseudo-shkencore të cilat kanë inkorpuruar vetveten në organizmat më vital të fesë. Feja, duhet të ndërtohet mbi bazën e vet origjinale dhe të ndalet së interferuari me vetëm shpjegimet e fakteve dhe fenomeneve shumë herë sterile. Edhe nacionalizmi duhet ruajtur, mbase promovuar brenda suazave të interesave tonë të përgjithshme. Duhet pranuar se nacionalizmi i cili u zhvillua përgjatë historisë dha një kontribut të çmueshëm në sfera të ndryshme; mos të harrojmë, edhe materializmi nga ana e vet i dhuroi njerëzimit gjëra të mira, pikërisht duke ndihmuar në pastrimin e “të sotmes” nga e kaluara e mbushur me shushla të panevojshme historike, religjioze e sociale.

Duhet pasur kujdes; Ideja nacionaliste fenë e redukton në epifenomen, në një produkt jo fort të dobishëm për njerëzimin. Nacionalizmi ia humb forcën e stimulimit fesë. Në nacionalizmin e verbër vetëdija religjioze s’ka rëndësi e as domethënie për tu vënë në shërbim të njeriut. Iniciativat nacionaliste për “rehabilitimin” e fesë janë të dështuara aq sa edhe thirrjet dhe kërcënimet e qarqeve religjioze kundër kombtarizmit. Logjika për shtypjen e fesë në Ballkan i ka rrënjët tek shkollat sllave për zhdukjen e shqiptarëve. Dëbimi i më shumë se një milion sosh ishte nisur pikërisht nëpërmes ndalimit të fesë së shqiptarëve. Po gdhendet mendimi se feja nuk mund të mbetet spektatore pasive ndaj ngjarjeve historike. Përveç tjerash, nga këtu bënë të nxjerrët përgjigja se përse rinia po i kthehet fesë, drejt apo në mënyrë të gabueshme. Shtresën intelektuale të kombit duhet vënë në lëvizje. Duhet të tregojmë gatishmëri për të ratifikuar platformën kombëtare në të cilën, ngjyrat e kombit nuk venisin ato fetare. Të dyja së bashku shqiptarët i bëjnë më të fortë, mjafton te kemi vullnetin për të qenë të tillë. /2lonline/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE