FC Drita përmbylli aventurën evropiane me dinjitet
Drita ka humbur edhe ndeshjen e dytë ndaj Celje-s me rezultat 3:2, ashtu siç kishte përfunduar edhe ndeshja e parë po me humbje me të njëjtin rezultat, në Prishtinë dhe kështu me rezultat përgjithshëm 6:4, eliminohet nga garat në UEFA Conference League.
Drita u eliminua, por mund të thuhet se dëshmoi se është ekip i madh, serioz, i organizuar mirë, me paraqitje shumë të mira kundër kundërshtarëve të fuqishëm, duke performuar jashtëzakonisht mirë deri në këtë pikë ku kishte arritur deri sonte, kur edhe e përmbylli aventurën e saj në garat evropiane.
Drejtuesit e klubit përmes një postimi në faqen zyrtare e vlerësuan paraqitjen e skuadrës së tyre në këto gara si dinjitoze dhe me karakter të fortë.
“Evropa mbyllet këtu, por krenaria mbetet. Një tjetër kapitull europian përfundon për ne, pas një gare dinjitoze dhe me karakter deri në minutën e fundit. Djemtë luftuan me zemër, përfaqësuan futbollin tonë me dinjitet, dhe treguan se Drita është emër që respektohet në skenën ndërkombëtare. Faleminderit tifozëve për mbështetjen e jashtëzakonshme në çdo stadium, brenda dhe jashtë vendit. Tani fokusi rikthehet në objektivat tona vendore – më të fortë, më të bashkuar dhe më të motivuar se kurrë. Ky është vetëm fillimi”, thuhet në postimin zyrtar të Dritës.
Në ndeshjen e ditës së sotme, për Dritën realizuan: Blerim Krasniqi 26′ dhe Albert Dabiqaj 51′, derisa për Celjen realizorë ishin: Svit Sešlar 43′ (Pen.), 19′ dhe Darko Hrka 23′
Përndryshe, tani fokusi i Dritës do të jetë Superliga e Kosovës në Futboll, mbrojtja e titullit kampion, një rrugëtim që deri në këtë moment është duke e bërë mirë, pasi tashmë kur është kryer java e 21-të, skuadra “bardh e kaltër” nga Gjilani, kryeson tabelën. /2LONLINE/
