FC Drita në kërkim të rezultatit pozitiv edhe ndaj Omonia Nicosia
Omonia Nicosia, skuadër nga Qipro do të jetë kundërshtari i radhës i FC Drita, në kuadër të garave të fazës së grupeve në UEFA Conference League.
Ndaj këtij kundërshtari, djelmoshat e skuadrës “bardh e kaltër” që drejtohet nga Zekirija Ramadani, do të zbresin të enjten (18:45) në fushën e blertë, në stadiumin ‘Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të kërkuar suksesin e radhës dhe vazhduar shkëlqimin, transmeton 2LONLINE.com.
Drita, me kundërshtarin e parë, skuadrën nga Finlanda, KuPS Kuopio, në Tammela Stadion – Tampere, kishte barazuar (1:1), derisa tani si vendës, para “Intelektualëve” të saj të zjarrtë pret maksimumin.
Përndryshe, në këtë rrugëtim evropian kundërshtarët e Dritës, përveq këtyre dy skuadrave, KuPS Kuopio dhe Omonia Nicosia janë edhe Shelbourne (Irlandë), AZ Alkmaar (Holandë), Shkëndija (Maqedonia e Veriut) dhe Rayo Vallecano (Spanjë).
Te FC Drita shpresojnë në grumbullimin e mjaftueshëm të pikëve për të vazhduar garat në fazën tjetër. Gjithsesi kjo mbetet të shihet pasi të kryhen të gjitha këto ndeshje, por ato që duhet të përjetohen paraprakisht janë emocionet drithëruese që pritet të na jep ndeshja e nesërme, me performancën e futbollistëve në fushë derisa në tribuna të stadiumit të kumbojë zëri “intelektual” në mbështetje të klubit të zemrës. /2LONLINE/
