Fauna: Dezinsektimi do të bëhet me preparate ekologjike më të mira të kohës

Fauna: Dezinsektimi do të bëhet me preparate ekologjike më të mira të kohës

Komuna e Gjilanit, përmes kompanisë kontraktuese AgroGroup Fauna, nga nesër fillon implementimin e projektit të dezinsektimit hapësinor.

Faza e parë e dëzinsektimit do të fillojë pra nesër, duke u nisur nga lagjet periferike të qytetit, në afërsi të lumenjve për të vazhduar tutje, duke u bërë kësaj here edhe nëpër fshatra, sipas kërkesës së komunës.

Nexhat HajrullahuDrejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, thotë se ky projekt është i një rëndësie të veçantë për shëndetin e qytetarëve dhe përveç largimit të bezdis nga insektet, ulë edhe mundësinë e përhapjes së infeksioneve.

“Ky projekt është për çdo vit, dhe kontrata e fundit për këtë projekt është tri vjeçare. Është mjaft e rëndësishme për qytetarët që të bëhet dezinsektimi i hapësirave publike pasi largon bezdinë nga mushkonjat dhe insektet dhe mundësinë e shfaqjes së ndonjë infeksioni. Prandaj, Komuna e Gjilanit po e vazhdon tash e tri vite këtë projekt, i cili ka koston e mbi 160 mijë eurove. Risia e këtij viti është se do të bëhet dezinsektimi edhe në fshatra”, ka thënë Hajrullahu.

Ndërkaq, Lirim Hyseni, veterinar, përfaqësues nga “Fauna”, tha se punët do të kryhen në bazë të obligimeve që i kanë si të kontraktuar nga Komuna dhe me format e aparaturën më të sofistikuar.

Ai shtoi se preparatet që do të përdorën për këtë dezinsektim janë ekologjike, më të mira të kohës që kanë efektshmëri të lartë dhe kanë mbetje të ultë dhe nuk janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, ndërsa procesi do zhvillohet gjatë mbrëmjes.

“Luten bletarët që t`i mbajnë mbyllur bletët e tyre gjatë kohës kur kryhet spërkatja, ngase preparatet që përdoren për t’i eliminuar insektet, është i dëmshëm për bletët. Gjithashtu, apelojmë të qytetarët që të mbyllin dritaret, jo për shkak të spërkatjes e sigurisë, por ngase insektet mund të kërkojnë dritën dhe të largohen nga ambientet e jashtme e tu futen brenda. Procesi do të kryhet gjatë mbrëmjeve në katër ditët e ardhshme”, ka thënë Hyseni.

Përndryshe,  në kuadër të këtij projekti, këtë vit do të përfshihet edhe dezinsektimi në disa fshatra, ku është identifikuar nevoja për dezinsektim.

Në këtë fazë, po bëhet dezinsektimi hapësinor, si masë mbrojtëse nga insektet, për të vazhduar, më vonë, edhe me dezinfektim dhe deratizim, varësisht prej nevojës, thonë zyrtarët komunal. /E. Sherifi/

.

KOMENTE