Fatura e energjisë elektrike, tarifat dhe komponentët rregullatorë sipas ZRRE-së
Nga: Agron Bislimi
Fatura e energjisë elektrike përfshinë konsumin sipas tarifave ditore dhe të natës, si dhe komponentët rregullatorë të përcaktuar nga ZRRE-ja. Llogaritja e faturës mund të paraqitet në dy forma, por rezultati përfundimtar është i njëjtë.
Në qasjen tradicionale (Fig. 1), energjia llogaritet sipas blloqeve të konsumit (deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh), duke përfshirë të gjitha kostot në çmimin për kilovat-orë dhe duke marrë parasysh kohën e përdorimit (ditë/natë). Kjo mënyrë është më e afërt me perceptimin e zakonshëm të qytetarit për çmimin e energjisë.
Në qasjen e dytë (Fig. 2), kostot ndahen më qartë: çmimi i energjisë dhe tarifat rregullatore të shpërndarjes (OSSH)paraqiten veç e veç, poashtu ato të transmetimit (TSO) dhe burimeve të ripërtëritshme (BRE). Të dyja mënyrat japin të njëjtën shumë përfundimtare, por struktura e re e faturës është më transparente dhe tregon qartë pjesën e shpenzimeve që shkon për rrjetin dhe mbështetjen e energjisë së ripërtërishme. Për shembull, për një konsum prej 870 kWh, vetëm pjesa që lidhet me shpërndarjen (OSSH) arrin rreth 19,66 €.
Figurat 1 dhe 2 paraqesin faturat e llogaritura dhe të testuara në mënyrë të detajuar. Llogaritjet janë realizuar përmes një programi në Excel, ku vlerat e konsumit vendosen në qelizat B4 dhe C4, ndërsa automatikisht llogariten të gjitha vlerat e nevojshme për pjesët e tjera të faturës.
Figura 3 paraqet faturën reale të konsumit të energjisë elektrike, e përdorur për krahasimin me vlerat e faturave të llogaritura në Fig. 1 dhe Fig. 2. Ajo tregon se çmimet dhe ndarja e komponentëve përputhen me shpenzimin real të energjisë së përdorur.
Në faturat e mëhershme të energjisë elektrike deri në mars të vitit 2024, tarifat për OSSH, TSO dhe BRE ishin të përfshira brenda çmimit të furnizimit dhe nuk shfaqeshin veçmas. Kjo e bënte faturën më kompakte, por më pak transparente për konsumatorin.
Të dyja qasjet japin të njëjtin vlerë në euro, por ndarja sipas komponentëve rregullatorë e bën faturën më transparente, pasi tregon qartë se sa paguhet për energjinë, sa për përdorimin e rrjetit dhe sa për mbështetjen e burimeve të ripërtërishme. Krahasuar me faturat e mëparshme, kjo qasje e lehtëson kuptimin e kostos reale të energjisë për qytetarin.
Sipas tarifave të reja të miratuara nga ZRRE-ja, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 maj 2025, si rezultat i rritjes lineare të tarifave të rregulluara prej 16,1%, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj do të paguajnë 9.05 cent për kilovat-orë, nga 7.79 cent sa paguajnë aktualisht. Për konsumin mbi 800 kWh, çmimi rritet në 15.43 cent nga 13.29 cent. Gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator, në orët e natës nga 23:00 deri në 08:00, konsumi deri në 800 kWh do të kushtojë 3,88 cent për kWh nga 3,34 cent, ndërsa konsumi mbi 800 kWh do të kushtojë 7,28 cent për kWh nga 6,27 cent. Ky ndryshim tregon se çmimi i energjisë rritet gradualisht dhe qytetari mund të shohë qartë ndryshimin e kostos për çdo nivel konsumi.
Rritja e faturës krahasuar me tarifat e fundit tregon ndryshimin në përqindje të shumës që paguhet nga qytetari. Kur konsumi është 0 kWh, fatura përbëhet vetëm nga tarifa fikse mujore dhe rritja relative është 0%. Me rritjen e konsumit, shtohet pjesa që vjen nga tarifat sipas blloqeve, duke bërë që rritja në përqindje të arrijë gradualisht rreth 15–16% pranë pragut 800 kWh. Edhe për konsum shumë të lartë, rritja nuk e kalon këtë nivel, pasi tarifa fikse prej 2,32 € zvogëlon peshën relative të rritjes.
Figura 1 Fatura sipas blloqeve tarifore dhe kohës së përdorimit, e formuluar dhe testuar në Excel
Fatura e energjisë sipas blloqeve tarifore dhe kohës së përdorimit (ditë/natë), e cila tregon çmimin për kilovat-orë dhe shumën totale për secilën kategori konsumimi.
Figura 2. Fatura e energjisë: komponentët (OSSH, TSO, BRE, tarifë fikse dhe TVSH); çmimi për pagesë i njëjtë si në Fig. 1, i bazuar në ekuacione të formuluara dhe i verifikuar në Excel
E njëjta faturë e paraqitur sipas ndarjes së kostove, duke veçuar pjesën tregtare të furnizimit dhe tarifat rregullatore të shpërndarjes (OSSH), transmetimit (TSO) dhe burimeve të ripërtëritshme (BRE), çka e bën faturën më transparente.
Figura 3 – Fatura reale e konsumit të energjisë
Fatura reale e përdorur për krahasimin me vlerat e faturave të llogaritura dhe të paraqitura në Fig. 1 dhe Fig. 2, duke treguar përputhjen e çmimeve dhe ndarjes së komponentëve me shpenzimin real të energjisë së përdorur. Llogaritjet janë realizuar në një dokument Excel, ku vlerat e konsumit mund të vendosen në qelizat B4 dhe C4, ndërsa të gjitha vlerat e tjera llogariten automatikisht, përfshirë edhe faturën për pagesë. Dokumenti Excel është përfshirë si kopje e bashkëngjitur.
