Duke iu referuar statistikave policore brenda një jave (15 nëntor – 21 nëntor), në Rajonin e Gjilanit janë regjistruar 20 aksidente të trafikut, fatkeqësisht njëri me fatalitet, ndërsa janë shqiptuar 650 tiketa gjobitëse.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë periudhës shtatë ditore, në këtë rajon ka pasur 20 aksidente trafiku, nga të cilat 5 me lëndime në njerëz, 14 aksidente trafiku me dëme materiale, por pa lëndime, si dhe një aksident fatal.
Aksidenti fatal kishte ndodhur në rrugën magjistrale Gjilan – Prishtinë, më saktë në fshatin Bresalc.
Hashani tha se gjatë kësaj periudhe janë shpërndarë 650 tiketa gjobitëse për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë respektuar ligjin.
Hashani ka kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të shtojnë kujdesin dhe të jenë pjesë e komunikacionit konform ligjit duke i respektuar të gjitha rregullat, në mënyrë që t’u iket aksidenteve, që fatkeqësisht në statistikat javore të kësaj jave kemi edhe me fatalitet.