Fati i librit tani!

Fati i librit tani!

Në këtë kohë, siç është fati i kombit, i këtillë është edhe fati i librit. Fati i kombit varet me shumicë nga qëndrimi i kombit ndaj librit dhe në këtë, kombi vetë ndërton fatin e vet të shumtën. Nëse studiohet pozita e librit tani, shihet se një fat i njëjtë është: i kombit dhe i librit.

Femi HALIMI

Librit por iu rëndua fati edhe më shumë dhe kështu libri ka nevojë për ndihmë, sepse është në gjendje të vështirë. Përveç se libri më nuk lexohet masovikisht e institucionalisht, libri ka rënë edhe më poshtë. Vetë dora besnike e lexuesve që kanë qenë gjithmonë, të sigurtit në numër, tanimë nuk janë as ata. Rrallë tani ka lexues dhe dashamir të librit i cili ka marrëdhënie diturore e intelektuale –kulturore me librin. Libri tani ka mbet në ankand dhe në mëshirë, përveç rasteve të rralla kur libri sistemohet në lekturë shkollore, libër për lexim të detyrueshëm!

Edhe më rëndë për fatin e librit tani, -kur libri po kopjohet industrialisht. Kjo do të thotë se jo vetëm se kopjohet në vend publik, porse libri industrialisht shfrytëzohet nga matrapazët e dilerët e rrugës për të shfrytëzuar librin si një mall për reproduktim masiv për përfitim industrial, me kilogram e me faqe, foto e ngjyra, si dhe nga rëndësia e detyrueshme për lekturë, a recensione e seminare nëpër fakultete.

Libri kështu u bë libër industrial për përfitim qarkullimi e kopjimi, e jo pse është libër! Tutje, tani libri kaloi përmes teknologjisë në një produkt kompjuterik të industrisë së përfitimit masiv global.

Vetë interneti u bë libër i ri, libri teknologjik, ku përfshin gjithë librat që futen në sistemin kompjuterik për shfrytëzim. Nevojtarët e librit tani, që nuk janë lexues më, e gjejnë librin e kërkuar –të nevojshëm edhe me detyrim edhe në internet me tërë masën e tij.

Kështu përveç përfitimit industrial të matrapazëve investues universal në fitim pa marrë parasysh mallin, -si thanë rusët, -investim qoftë në speca, qoftë në raketa, me rëndësi –të përfitohet paraja disi, – pra përveç përfitimit industrial nga kopjuesit nëpër rrugë, erdhi libri komplet në kompjuter, ku nevojtari e nxjerr atë dhe e shfrytëzon, për më tepër falas!

Çka mbet nga libri më? Libri që ishte, ai klasiku, i cili duhej të lexohej nga shfletimi i librit –letër industriale? Po shohim se ai libri është ende, gjallë, nëpër vendet e veta, -klasik, me një përqindje të shfrytëzimit sipas kërkesave të mësuesve bërë nxënësve nganjëherë. Në këtë, mbet një dorë e lexuesve klasikë, folkloristë, që me kokëfortësi e ruajnë librin klasik dhe e mbrojnë.

Në rregull kjo, ama koha e librit, mu sikur e gazetave e botimeve tjera përfundoi të shumtën dhe era teknologjike po mbizotëron me gjithçka mbi punët teknike manufakturale e të prodhimit fabrikues masiv. Super –Interneti tani më si është, ka pushtuar gjithë botën e përparme të lirë e virgjine dhe njeriu homo super sapiens cromanjon identifikohet me teknologjinë masive të mençur. Libër tani kështu është interneti, kurse lexuesit me këtë, jo se u pakuan a u shuan, por u masivizuan! Kurrë nuk ka pasur lexues si që ka tani më, porse këta lexues janë tani lexues të librit internetik. Shumë mirë dhe për lakmi e lavd, ama libri, që ishte libër, tani nuk ka më lexues.

Krejt në rregull me këtë masivizim për të mirë e për lakmi, mirëpo industria e librit klasik pësoi humbje të plotë, si që pësoi humbjen edhe më të thellë libri klasik. Në këtë, edhe shumë mundësi fitimi e përfitimi klasik nga libri, prej autorit, përmes shtypit e deri tek lexuesi, u shuan e humbën rendin.

Përfitimet kaluan në mënyrë internetike, përmes hyrjes së lexuesve në faqen e autorëve të botimeve, por kjo mënyrë fitimi tani është e komplikuar dhe larg autorit e shitësit për fitim si duhet. Vetëm botimet e mëdha, tek popujt e mëdhenj, e tek gjuhët masive në botë, kanë një fitim të qartë nga libri internetik. Të vegjlit janë plotësisht të pakapshëm dhe në pamundësi të kapin diçka nga përfitimi i librit në internet.

Një tjetër dëmtim i erdhi librit nga epoka e re e ndryshimeve politike dhe sociale, me që rast liderizmi lokal i grupeve parapolitike ndërprenë rrjedhat kulturore kudo, po edhe të librit. Libri pësoi keq në kohë të fundit sepse nuk mor kurrfarë trajtimi më, pos të iniciativave private e përfituesve të rasteve. Dikush përfitoi përmes donacioneve nga lart si një lëmoshë, mandej përfituan gjatë edhe shtypshkronjat, ama autorët mbetën krejtësisht në zero, kurse libri humbi gjininë e vet, duke ardhur në vend të librit të vërtetë një libër industrial –sintetik, ekstraterrestrial,me ngushtësi, pasqyreje familjare e lavdërimesh tjera.

Libri industrial mbeti ai shkollor e i lekturave të cilat i financuan e mbuluan buxhetet e komunave dhe buxheti i shtetit në qendër, në të cilat raste vështirë është të dihet e njihet se si bëhet shpërndarja dhe ndarja e gjithë atyre eurove të ndara për “libra shkollorë”!

Autorët, si që janë e që ishin, sa patën marrë diçka këmbët në një mbarësi përhapjeje, shpërndarjeje e shitjeje të librit, për pak kohë humbën çdo mundësi të qasjes së librit më, edhe atij personal e autorial dhe me këtë kjo puna e librit nuk sjell më asgjë, e që ndokush të provojë të mbajë veten e familjen me punë të librave në cilindo rang të punës, larg qoftë!

Tanimë në Gjilan ka dy vite nuk ka as panair të Librit, që ishte i rregullt dhe që ishte lavdi i qytetit njëmend! Nuk ka më vend për librat, nuk ka më vend as për shitësit e librave, nuk ka më shpërndarës, si dhe nuk ka më as autorë seriozë, a a që bëjnë një punë serioze, që i hyjnë punës së librit! Vërtetë nuk ka më as autorë që merren më me librin, pos nëse ndonjë kryetar komune ua jep ndonjë qindarkë eurosh sa për 50 deri në 100 copë shtypi! Kjo do të thotë se i bie, se le të merret me këtë librin kush ka e kush mundet!…

Kam vërejt edhe këtë, se ka botim librash shumë të mëdhenj, të stërbukur në dukje, me kopertina superluksoze, shumë të shtrenjtë, -si dhe libra të vegjël, me pak ngjyra, me kopertina të holla të dobëta, e shumë të lirë! Në mes nuk ka më botim! Kjo do të thotë, ma mori mendja një kohë se ata librat superluksozë, kanë donacion a kështu diçka me dhjetëra mijëra euro, kurse ky libri skamnor i vogli e me ngjyra të zbehta si me flamë, ka donacione dy –treqind euro!?

Edhe nëse ka më shumë diçka, kam parë se autorët eurot i ndajnë në tri pjesë: për dru dimrit, për veshje e turshi, e së treti –për botim të librit! Një e mirë prej librit të vogël fukara kam parë se është edhe tani!…

E mira e librit, që është ajo e vërteta, mbetet e fundit.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE