Familjet e Dëshmorëve kërkojnë drejtësi
Ismajl KURTESHI
/2L ONLINE/ – Përpjekjet për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, gjegjësisht Serbia kanë filluar herët. Këto përpjekje për liri janë përcjell me sakrifica të llojllojshme. Përpjekjet për liri kanë prodhuar dëshmor të kombit në periudha të ndryshme.
Familjet e dëshmorëve të rënë para vitit 1999 përveçse kanë mbetur pa më të dashurit e tyre, ata janë përballur edhe me trajtim çnjerëzor të pushtetit okupues.
Këto familje të keqtrajtuara nga okupatori dikur, po diskriminohen edhe tani nga Qeveria e Kosovës, e cila po refuzon ta zbaton ligjin i cili ju garanton këtyre familjeve të drejta të barabarta me familjet e dëshmorëve të luftës së fundit.
Në nenin 8 të Ligjit Nr. 04/L-054 PËR STATUSIN DHE TË DREJTAT E DËSHMORËVE, INVALIDËVE, VETERANËVE, PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, VIKTIMAVE CIVILE DHE
FAMILJEVE TË TYRE
Në lidhje me të drejtat në pension dhe beneficione për anëtarët e familjeve të ngushta të dëshmorëve parashihen:
1.1. e drejta në pensionin familjar;
1.2. përparësi në punësim në kushte të barabarta;
1.3. përparësi në regjistrim dhe pranim në institucione arsimore publike në kushte të barabarta me të tjerët;
1.4. bursën për shkollim të mesëm dhe universitar;
1.5. vendosjen në konvikte pa kompensim;
1.6. përkujdesjen për strehim familjar; dhe disa benificione të tjera.
1.7. tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike për nevoja
personale në rast të gjendjes së rëndë ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale;
1.8. lirimin nga pagesa e taksave gjyqësore, administrative dhe publike;
1.9. përkujdesjen shëndetësore primare, sekondare dhe terciare falas, në institucione publike shëndetësore;
1.10. vendosjen pa kompensim në shtëpitë e personave të moshuar;
1.11. lirimin nga pagesat e administrative në shkollimin universitar publik;
1.12. lirimin nga pagesa në trafikun publik urban dhe ndër urban.
Në pikën 2 të nenit 8 thuhet: ”Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha te ndryshme historike”.
Këto të drejta të garantuara me ligj nuk i gëzojnë rreth 150 familje të dëshmorëve që kanë rënë para vitit 1998.
Mos zbatimi i këti ligji për këto familje të vuajtura e të persekutuara për dekada me radhë nuk paraqet vetëm shkelje ligjore por edhe degradim moral të të gjitha qeverive, të pas pavarësisë së Kosovës.
Prandaj kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të fillon zbatimin e këti ligji, që i barazon këto familje të dëshmuara, të dëshmorëve të kombit, me familjet e dëshmorëve të UQK-së. /2L ONLINE/
