DYLON

Familja emblematike Jashari, mbi partitë politike!

Familja emblematike Jashari, mbi partitë politike!
Avatar photo Redaksia

Ka kohë që jam duke u munduar të analizoj vizitën e krerëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Familjen Jashari me rastin e Epopesë së UÇK-së, si dhe mundësinë e përafrimit të kësaj partie me Familjen emblematike në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe atyre të rregullta komunale në vjeshtën e këtij viti!

Florim Zeqa

Të vërteta apo spekulime, lajmet e disa portaleve, që paralajmëruan kandidimin e Murat Jasharit, djalin e Rifat Jasharit për kreun e Skenderajt, si kandidat i VV-së, vetvetiu shtron pyetjen hipotetike, vallë a mos po dëshirojnë edhe një grup tjetër i politikanëve të dyshimtë të vijnë në majat e pushtetit përmes Familjes Jashari, ashtu siç u ngritën pas lufte kjo klasë e shëmtuar kusarësh politikë.

EkoHigjiena

Familja Jashari, simbol i qëndresës dhe rezistencës kombëtare përballë makinerisë vrastare të Milosheviqit, rast ky unikal në botë për sakrificën sublime për liri dhe të drejta kombëtare, e respektuar dhe nderuar anekënd trojeve etnike edhe falë paanshmërisë partiake që ka mbajtur përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe paspavarë- sisë.

Andaj, Familja emblematike Jashari e tillë duhet të mbetet edhe tani e tutje, simbol i unitetit kombëtar dhe sinonim i brezave për dashurinë ndaj atdheut, e jo të bëhet levë e asnjë subjekti politik.

Këtyre viteve të paspavarësisë, identifikimi i një pjese të lidershipit të korruptuar shtetëror dhe partiak me Familjen Jashari dhe komandantin legjendar Adem Jashari, ishte bërë irritues dhe i papëlqyer nga shumica e popullatës shqiptare, deri në veprimin e para disa viteve të Familjes Jashari, e cila vuri “vijat e kuqe” për disa liderë të korruptuar dhe të shantazhuar partiakë.

Veprim ky, sa i mençur po aq edhe pragmatik i kësaj Familjeje, i cili fillon ndarjen e parë të “shapit nga sheqeri” në Kosovën e uzurpuar nga kusarët politikë, që rropën e çrropën gjithç- ka nga pasuria shtetërore dhe publike në vendin tonë.

VV-ja në fillimet e saj, përkundër parimeve të shëndosha kombëtare, veprimet në terren dhe përmbajtja e saj strukturore kanë ndryshuar dukshëm. Bashkëngjitja kësaj lëvizjeje të elementëve të dyshimtë, si të “pakënaqur” me partitë e tjera, e vë në dyshim të ardhmen e këtij subjekti politik.

E quajta subjekt politik, ngase me hyrjen e saj në Parlamentin e Kosovës e ka humbur primatin e të qenit lëvizje popullore. Me hyrjen e VV-së në Parlament, ndodhin edhe shkeljet e para parimore të saj. Sjellja tepër e papërgjegjshme dhe e pamoralshme e liderëve të VV-së, me kritere të dyfishta ndaj shtetit dhe qytetarëve, është pak më tepër se skandaloze.

Kur u bie mirë, të marrin paga të larta nga shteti, e pranojnë, të bëjnë vizita jashtë vendit në emër të shtetit, e pranojnë, të fitojnë tenderë qindra milionësh nga buxheti i shtetit, e pranojnë,….ndërsa kur është në pyetje konsumi i politikës ditore, e refuzojnë shtetin, i injorojnë simbolet shtetërore dhe Kushtetutën e vendit.

Çështja tjetër paradoksale brenda këtij subjekti politik, që veten e quan organizatë e jo parti politike, është se disa figura të dyshimta të saj, paraprakisht kanë kalëruar nëpër partitë e tjera politike, ndërsa shkaku i humbjes privilegjeve në partitë paraprake iu bashkëngjitën “Vetëvendosjes”, me shpresën që nesër të jenë më afër pushtetit që e pretendojnë liderët e këtij subjekti politik.

Lëvizja “Vetëvendosje” e sheh si shpresë të vetme për thyerjen e PDK-së në bastionin e saj në Skenderaj me kandidaturën e Murat Jasharit për kryetar të Komunës, duke qenë të sigurt që kandidatura e Murat Jasharit e dëmton shumë PDK-në në Skenderaj dhe mund t’ia japë teposhtën këtij subjekt politik.

Pavarësisht dëshirave dhe ambicieve të ndonjë subjekti politik, në rastin konkret të VV-së, Familja Jashari duhet të tregohet e kujdesshme në mosrënien në kurthet dhe prapaskenat e partive politike.

Mundësia e përfshirjes në politikë e Murat Jasharit është e madhe, madje do të thosha është e pakufishme. Mirëpo, kjo përfshirje duhet të jetë e pavarur nga të gjitha subjektet, e në veçanti ndaj atyre që katandisen vendin për këto 18 vite rresht.

Pse të mos kandidojë Murat Jashari në zgjedhjet e ardhshme komunale për kryetar të Skenderajt si kandidat i pavarur, ku lehtësisht do të dilte fitimtar edhe para këtyre subjekteve politike të korruptuara, apo të kandidojë patjetër nesër si kandidat i pavarur për deputet në Parlamentin e Kosovës.

Të qenit në “partinë” e popullit është nderi dhe respekti më i madh, përfaqësimi i zërit të popullit në Parlament është privilegji më i madh për një veprimtar të çështjes kombëtare, në këtë rast Familjes emblematike Jashari, krenarisë së gjithë shqiptarëve.

Thellësisht jam i bindur se prezenca e zotit Murat R. Jashari në Parlamentin e Kosovës si deputet i pavarur, përveçse zë i fuqishëm i popullit, do të ishte edhe zë i ndërgjegjes së pastër kombëtare.

Futja brenda konjukturave partiake për një veprimtar të devotshëm, është e barabartë me futjen brenda grilave, ku të tjerët të mbajnë peng dhe servojnë “ushqime të gatshme” sipas orekseve të tyre, pa të pyetur ndonjëherë për shijen e gjellëve, shpeshherë të prishura!

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.