/Kumtesë e lexuar në Akademinë Përkujtimore për Dëshmorët e Kombit Skifter dhe Kastriot Arifi/
/2L ONLINE/ – Do të paraqesim shkurtimisht se sa luftëtarë të lirisë ka dhënë kjo familje e seferëve, jo nga i pari i tyre Ulkë Burimi, të cilin osmanët e quajtën “Kara Sefer”, që do të thotë “luftëtar i zi”.
Nga koha kur jetonin në vendlindjen e tyre në fshatin Burim, kanë shkruar disa historian ku bëjnë fjalë për shpërnguljen e më se 504 vendbanimeve etnikisht shqiptare nga Kosova lindore. Mirëpo, për “luftëtarin e zi” dhe luftëtarë të tjerë nga fshati Burim, shumë pak dihet.
Seferet nuk ruajtën as mbiemrin që kishin aso kohë dhe as nuk morën për mbiemër vendemërtimin ku jetuan, si vepruan të tjerët si: klaiqët, vraniqët, ramabajët, brestovcët, huruglicët, vllasët e të tjerë, por fshatin e tyre në vendin e ri e quajtën Sefer, që në gjuhën osmane do të thotë luftëtar dhe krejt kjo sipas të “ziut” Ulkë.
Seferët me ardhjen e tyre aty ku janë edhe sot, nuk e ndalën luftën kurrë. Can Seferi luftoi me ditë të tëra vetëm me djemtë e vetë kundër ushtrisë Osmane, ku u dogj i tërë fshati. Pastaj kolosi Idriz Seferi që i priu një ushtrie të tërë me mijëra luftëtarë, stërgjyshi i Skyfterit, Myrtez Arifi ishte bashkëluftëtar i Idriz Seferit, i cili kaloi rreth 22 vjet kaçak, sepse ishte njëri ndër kundërshtarët e Perandorisë Osmane, pos luftës për krah të Idriz Seferit, posedonte edhe qetën e vetë që ndërrmerrte aksione të pandërprera kundër ushtrisë osmane, prandaj Porta kishte vendosur për ta ndëshkuar me “syrgin” familjen e tij për në Turqi. Vëllai i Myrtezit, Ilaz Arifi vrau konsullin turk të Shkupit, për këtë vepër burgosej nga organet ushtarake osmane dhe dënohej me varje, mirëpo gabimisht varej një Ilaz tjetër nga fshati Verban i Bujanocit. Murtezi dhe shokët e qetës, japin njëqind dukat për ta nxjerrë Ilazin nga burgu.
Nga kjo familje kontribut të veçantë dha edhe kaçaku Osman Topalli, i cili bashkë me vëllain Xhelën, sikur edhe Ilaz Arifin, u dërguan për të kryer ushtrinë turke në Egjipt. Këta dy vëllezër, kusheri të parë të Ilazit, dezertojnë nga ushtria Osmane, pas udhëtimit të gjatë arrijnë në Bullgari, aty mbesin pa ushqim dhe vendosin për të kërkuar bukë te një bullgar, i cili ju premton bukë por u jep plumba, kështu Xhela mbetet i vrarë, kurse Osmani duke kaluar murin thenë këmbën dhe arrinë të mbijetojë, prandaj mori pseudonimin “topalli”. Osman Topalli luftoi edhe kundër ushtrisë Osmane dhe më vonë edhe kundër ushtrisë serbe. Ishte shokë i Azem Bejtës. Osman Topalli i plagosur rëndë në luftime me xhandarmërinë serbe, vdes nga torturat në burgun e Shkupit, duke mos i zbuluar shokët.
Gjyshi i Skifterit, Shabiu me vëllezërit e tij Murtezin, Arifin, Fazliun, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk rradhiten në anën e partizanëve titistë, por u rreshtuan në anën e Mulla Idrizit. Lufta e kësaj familje kundër pushtuesve nuk pushoi asnjëherë, Fazli Seferi ishte zv/komandant i ballistëve të Anamoravës, respektivisht zv/komandant i Mulla Idrizit, të cilët luftuan çetnikët, kurse i ati Shabiu korrier personal i Mulla Idriz Gjilanit.
Në aksionin e armëve të vitit 1956 të cilin e udhëheqte UDB-ja, në krye me Aleksandër Rankoviç, kinse për mbledhjen e armëve, por në të vërtetë qëllim kishin të vrisnin dhe zhduknin shqiptarët, ku si pasojë e kësaj nga Tirana zyrtare dokumentohej se rreth 140 mijë familje shpërngulen në Turqi. Malltretimet që i kryente shefi i Shërbimit Sekret për Gjilanin Jovo Gariq, i mbeten në kujtesë të gjatë Milazim Arifit, i cili dëshironte që të arsimohej dhe filloi të shkollohej në Preshevë, mirëpo që në vitin e parë u ftua nga UDB-ja dhe u akuzua për mbajtje të flamurit kombëtar, me këtë rast Milazimi përjashtohej nga shkolla. Pastaj arratisej në qytetin e Kikindës në Vojvodinë, ku qëndroi dy vjet me identitet të ndryshuar deri në rënien e Rankoviçit nga pushteti.
Për ti ikur obligimit ushtarak në vitin 1967, ai me një grup shokësh tentoi të arratisej nga Jugosllavia, por ndalohen nga rojet dhe burgosen. Pas vuajtjes së burgut më 1970, detyrohej të përfundon shërbimin ushtarak në marinen jugosllave. Pasi përfundon shërbimin ushtarak edhe Milazimi si shumë shqiptarë të tjerë detyrohej që të merrë rrugën e mërgimit dhe kalon në Austri në qytetin Kufshetin. Në këtë vend përpos punës së përditshme përpilonte edhe disa shkrime në gazetën “Flaka e Vllaznimit”, e cila dilte në Shkup, në të cilën gazet shkruante për hallet dhe brengat e popullit shqiptarë. Në këto rrethana Milazimi filloi takimet e para me treshen ilegale Rexhep Mala, e Kadri Osmani, siç edhe thuhet në librin e Rexhep Malës, citoj: Milazim Arifi ishte urë lidhëse mes Austrisë dhe Kosovës, ku të gjitha parollat propagandistike që shprëndaheshin në treshet i sjellte vetë Milazimi dhe më pas i dorëzonte te Rexhep Mala dhe shokët e tjerë.
Më 14 korrik 1975, kthehet në Gjilan për ti riorganizuar njerëzit që kishin mbetur nga grupet dhe të cilët ishin burgosur qysh në filim të vitit 1975, mirëpo UDB-ja ju bjen në gjurmë dhe pas pesë viteve punë ilegale, më 31.07.1975, burgosen Milazim Arifi, Hetem Arifi, Begzad Osmani, të cilët torturohen gjatë, dhe dënohen nga shefi i UDB për Kosovë Jusuf Karakushi. Milazimi dënohet me 13 vjet burg, Jetullah Arifi me 12 vjet, Begzad Osmani me 12 vjet, Hetem Arifi me 9 vjet, poashtu burgim mbajten edhe Ilmiu dhe Nasufi.
Demostratat e viteve të 80-ta, Milazimin e gjejnë të sapodalur nga burgu me një shëndet të plogësht, por së bashku me vëllain Ilmiun dhe nipin Ramiz Ukshinin nga fshati Llocë te lapidari në qendër të Gjilanit, iu bashkuan protestuesve nxënës të shkollave të mesme që apelonin për t’iu bashkuar demostratave të të rinjëve. Pas disa ditëve UDB-ja krijon një kordon rreth shtëpisë së Milazimit, por ai ia arrin të ik dhe me këtë rast 5 muaj i kalon “kaçak” në fshatin e tij të lindjes në Ranatoc, ku për strehim kishte një shpellë guri. Për Milazimin shumë pak njerëz dinin se ku gjendej, dinte e shoqja e tij Arife Arifi e cila ishte para lindjes (pas një kohe lindi ushtarin e ardhshëm të UÇK-së, Flamur Arifin), poashtu për vendodhjen e tij e dinin edhe dy nipat e tij të bijtë e xhaxhait, Muharrem dhe Ali Arifi si dhe dy nipat e tij nga motrat, të cilët i dërgonin ushqimin.
Pas pesë muajve Milazimi vjen ilegalisht në Gjilan për ta vizituar djalin e tij Flamurin, por zbulohej dhe burgosej. Për tre muaj rresht në burg çdo ditë Milazimi merrej në pyetje. Pas lirimit nga burgu Milazimi përsëri ishte në burg, vetëm se në një form tjetër, sepse ishte pa të drejtë shkollimi dhe pa të drejtë punësimi.
Më 4.1.1987, vuan një denim prej 6 muajve, të cilin ia kishte shqiptuar Gjykata Komunale e Beogradit për vepër penale “Kryengritje e Armatosur”, e cila ndodhi në burgun Qendror të Beogradit.
Përndjekjet vazhduan pa ndalë, ku xhaxhai i Skyfterit Ibrahimi dhe Ilmiu, u detyruan të largohen detyrimisht për në Zvicërr, sepse kishin urdhër arresti, të cilët edhe nga mërgata vazhduan kontributin e tyre financiar, bashkë me vëllain Nasufin dhe djalin Vasufin, të cilët në luftën e Kosovës i dërguan paisjet ushtarake Skifterit dhe Flamurit.
Filloi edhe lufta e Kosovës, Skyfteri, pas burgosjes së Avdullah Tahirit, me të cilin dhe të tjerë me urdhër të UÇK-së formuan grupin ilegal në komunën e Gjilanit, bashkë me vëllain Flamurin kalojnë në Kosovë dhe i bashkohen radhëve të UÇK-së. Pas dy muaj luftë Skifteri gradohet Toger dhe më vonë zëvendës komandant kompanie, kurse Flamuri vetëm shtatëmbëdhjetëvjeçar, gradohet komandant skuadre në Brigaden 134 “Bedri Shala”, e cila e para hyri në territorin e Kosovës si ushtri e rregullt dhe jo guerile. Skifteri edhe mbeti në këtë brigad deri në mbarim të luftës në Smolicen e Gjakovës.
Gjithashtu Driton dhe Metush Arifi kusherinjë mes veti, gjatë luftës së Kosovës me pakë armë që posedonin, ballafaqohen me forcat serbe dhe nga plagët e marra Dritoni bie dëshmor. Luftës së UÇK-së iu bashkangjiten edhe Metush Arifi, e shumë më heret, vëllai i Metushit Enveri, i cili kishte lënë punën në botën e jashtme e ju kishte bashkangjitur luftës Çlirimtare, pastaj rreth dy muaj më vonë, shkon edhe i ati i Skyfterit Milazimi, mirëpo nuk pranohet nga eprori Bilall Syla, sepse kishte dy djemtë e tij në luftë, por kontribut të veçantë jep në rekrutimin e ushtarëve të rinjë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Lufta që filloi në Kosovën Lindore, familjen Seferi nga Ranatoci, e gjeti të përgatitur, i pari shkoi Kastriot Arifi, vëllai i Enverit dhe Metush Arifit, pjesëmarrës i luftës së Kosovës. i cili ra dëshmorë bashkë me shokët e tij “terrin” dhe “Kingjin” vëllezër nga Zhegra e Gjilanit. Në këtë luftë u inkuadruan Hafiz Arifi, mandej Azem Arifi vëllai i Jetullah Arifit që ishte i burgosur politik, kurse shtëpia e të atit të Azemit, Sefer Arifi në Ranatoc, u bë bazë për vullnetarët që vinin nga Kosova.
Edhe në luftën e Iliridës në vitin 2001, Skifteri dha dorëheqje me shkrim nga TMK-ja, bashkë me shokët e tij Skënderin, Raifin, Alinë, Saliun, dhe të tjerë nga Gjilani, pas disa orë udhëtimi nëpër Malet e Karadakut arrijnë në Sllupçan.
Me rënien heroike të Skyfterit në vijën e parë të frontit Babai i Skyfterit, Milazimi humbjen e djalit e përjetoi më shumë si humbje për vetë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, andaj zëvendësimin e Skyfterit e bëri vetë, armën e djalit e mori në dorë vetë dhe u rreshtua në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, aty ku e la Skifteri e vazhdoi i ati i tij, i cili qëndroi deri në mbarim të luftës.
Po e përfundoj me një thënie të Milazim Arifit, babait të heroit Skifter Arifi: gjithmonë thoshte se liria nuk fitohet me dy gishta, por vetëm me një gisht. /2L ONLINE/
/autori është kryetar i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” – Gjilan/