Falja e borxheve ka kushte!
Sot do të takohet Komisioni Ekzekutiv për shqyrtimin e mundësive për faljen e borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike. Kështu ka thënë Ardita Dushi, këshilltare politike e ministrit të Financave. Komisionit i kanë mbetur edhe 9 ditë kohë për të dalë e paraqitur rekomandimet pasi, sipas Dushit, afati prej një muaji për t`i paraqitur rekomandimet e duhura lidhur me mundësitë e faljes së borxheve është nga data e hyrjes në fuqi të vendimit për themelimin e komisionit i cili është marrë më 5 shkurt.
Sipas Dushit, Komisioni do të shqyrtojë mundësitë si dhe mënyrat se si do të bëhet falja e këtyre borxheve dhe gjithashtu do të analizojë dhe rekomandojë reformat e duhura, në mënyrë që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen. Ajo ka thënë se ekziston edhe mundësia që borxhet deri në fund të vitit 2008 mund të falen vetëm nëse paguhen borxhet që janë nga viti 2008 deri në vitin 2014, por që, sipas saj, kjo gjë do të diskutohet në komision.
