Falja e borxheve dhe lotaria me kuponë fiskal si kundërshpërblim i dyfishtë!
Luan SELISHTA
/2L ONLINE/ – A duhet shteti ta mësojë popullatën me falje borxhesh, me oferta lotarie për grumbulluesit e kuponëve fiskal si kundërshpërblim të dyfishtë!? Veprimet e lartëpërmendura konsiderohen si veprime të momentit nga ana e institucioneve qeveritare të cilat nuk i kanë paraparë rreziqet dhe të metat të cilat do të kishin ndikime negative në ushtrimin dhe zhvillimin e politikave fiskale si dhe në krijimin e ideologjisë të qytetarët karshi obligimeve shtetërore.
Para se të ishte marrë vendimi mbi falje të borxheve ka qenë e rrugës që së pari të bëhen analiza të mirëfillta mbi shtresat e popullatës të cilat konsiderohen me obligime ndaj institucioneve shtetërore, ku ekziston fakti që përfituesit më të mëdhenj të borxheve janë konkretisht shtresat e larta për të cilat kanë ushtruar veprimtari të ndryshme biznesore e për të cilat shteti ka dështuar me dashje apo pa dashje në grumbullimin e të hyrave, si dhe në përdorimin e politikave fiskale në mënyrë efiçiente të cilat do të ishte në interes të përgjithshëm shoqëror.
Duke u parë që jemi një shtet në tranzicion ku fokusi kryesor i popullatës është i orientuar dhe i fokusuar në veprimet dhe orientimet që ndërmarrin politikat qeveritare, ku falja e borxheve në këtë mënyrë kaq të hapur jep të nënkuptojmë që kemi të bëjmë me një dështim të institucioneve qeveritare që nga paslufta e deri më tani.
Institucionet qeveritare nuk duhet mësuar për të falur borxhe, sepse këto veprime nuk rigjenerojnë rezultate të mirëfillta si për institucionet qeveritare por edhe si për vetë qytetarët. Duke u ndërlidhur me faktin se nga kjo falje nuk përfiton tërësia e popullatës por vetëm pjesa e cila nuk është treguar transparente ndaj obligimeve shtetërore dhe Institucionet qeveritare duhet të mësohen se si ti përdorin politikat adekuate të pakos fiskale dhe politikave monetare, të cilat do të ju lehtësonin qytetarëve kryerjen e obligimeve shtetërore në baza reale sipas kuotave dhe tarifave standarde të cilat konsiderohen të pranueshme dhe të mundshme nga vetë qytetarët.
Së fundi, është ndërmarr edhe një hap për të cilën Ministria Tatimore e Kosovës e konsideron si një hap lavdërues dhe me domethënie të veçantë për të vetëdijesuar popullatën në mbledhje të kuponëve fiskale si dhe shpërblimi i tyre në mënyrë të dyfishtë, Por edhe kjo iniciativë nuk konsiderohet e anës profesionale në aspektin ekonomik dhe atë psikologjik, sepse shteti nuk duhet të hap oferta lotarie për vetëdijesim apo edhe për ti bindur në këso mënyrash qytetarët në kryerjen e obligimeve të tyre ndaj institucioneve të caktuara shtetërore.
Shteti duhet të përdorë politikat e saj si dhe të gjitha mekanizmat e saj të mundshme dhe legjitime të cilat ndërlidhen me vetëdijesimin dhe obligimet që duhet kryhen ndaj institucioneve shtetërore, dhe më pastaj shteti me të hyrat që krijon nga inkasimi duhet t’i shpërndajë apo investojë në interes të përgjithshëm shoqëror dhe publik.
Një ofertë e tillë nga Administrata Tatimore e Kosovës, në shpërblim për qytetarët të cilët arrin të grumbullojnë kuponët fiskal mbi dyqind e pesëdhjetë euro për të bërë pjesë fillestare e përfitimeve ndaj Administratës Tatimore brenda një muaji kalendarik, jep të nënkupton që në këtë ofertë vetëm shtresat e caktuara do të kenë mundësin e përfitimeve nga grumbullimi i kuponëve fiskale. Ndërsa pjesa tjetër do të ndihet inferiore, në pamundësi të grumbullimit të kuponëve fiskale si rezultat i të ardhurave dhe shpenzimeve të ulëta që i kanë brenda një periudhe të caktuar kohore. Si rezultat i kësaj kuponët fiskale më nuk do të luajnë rolin si diçka e cila duhet merret nga ana e qytetarëve gjatë kryerjeve të shërbimeve si pjesë e vetëdijesimit por si dëshirë për të qenë pjesë e lojës, apo për të mos qenë pjesë e lojës shpërblyese nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Veprimet të këtilla nga institucionet tona qeveritare duhet të jenë mjaftë të matura para se të merren vendime mbi ekzekutimin dhe aprovimin e tyre në teren, në të kundërtën pre supozimet me vendime jo të matura me pretekstin për të sjellë rezultate pozitive mund të sjellin afekte negative si për buxhetin e Kosovës njëherësh edhe për mirëqenien dhe vetëdijesimin e qytetarëve. /2L ONLINE/
