Falë reagimit të shpejtë të policisë një qytetare shpëtohet pasi kishte ra në lumin Ibër
Mbrëmë rreth orës 22:00, Policia në Mitrovicë është njoftuar se një person e gjinisë femërore ndodhej në rrezik pasi kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe në shtratin e lumit Ibër kanë gjetur një qytetare në gjendje të rënduar shëndetësore, të cilën kanë arritur që ta tërheqin nga uji dhe të evitojnë rrezikun.
Ajo është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së viktimës, ajo kishte rrëshqitur dhe kishte rënë në lumin Ibër. Njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
