Fakulteti Ekonomik i UKZ-së zhvilloi takim konsultativ me Bordin Industrial dhe përfaqësues të bizneseve për riakreditimin e programeve
Në kuadër të përgatitjeve për procesin e riakreditimit të programeve studimore të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u zhvillua një takim konsultativ me Bordin Industrial, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve partnere.
Takimin e hapi koordinatori i procesit të riakreditimit, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, prodekan i Fakultetit Ekonomik, ndërsa të pranishmit i përshëndeti Prof. Dr. Xhevat Sopi, dekan i Fakultetit Ekonomik. Dekani theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte të merren rekomandime dhe sugjerime konkrete nga partnerët e jashtëm për avancimin e programeve studimore dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut të punës.
“Dëshirojmë të dëgjojmë nga ju se çfarë duhet të ndryshojmë dhe përmirësojmë, në mënyrë që Fakulteti Ekonomik të zhvillohet edhe më tej dhe të përgatisë kuadro sa më të gatshme për tregun e punës”, u shpreh dekani.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e bizneseve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet universitetit dhe sektorit privat, duke vënë në pah se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe proceset e digjitalizimit kërkojnë përditësim të vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të studentëve. Sipas tyre, kompanitë e kanë gjithnjë e më të vështirë të ecin në hap me zhvillimet teknologjike pa një bashkëpunim të qëndrueshëm me universitetin, i cili përgatit profesionistët e së ardhmes.
Po ashtu, u theksua nevoja që studentët të përfshihen më shumë në praktikën profesionale gjatë studimeve, në mënyrë që njohuritë teorike t’i zbatojnë në ambiente reale pune. Në këtë drejtim, dekani propozoi që të shqyrtohet mundësia e fuqizimit të komponentës së praktikës në programet studimore si lëndë, duke kërkuar njëkohësisht gatishmërinë e bizneseve për të ofruar hapësira për realizimin e praktikës së studentëve.
Në përfundim të takimit, të dyja palët, Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe përfaqësuesit e bizneseve, u pajtuan se është në interes të përbashkët që studentët të kenë praktikë të obligueshme gjatë studimeve, si një mënyrë për të rritur kompetencat profesionale dhe për të lehtësuar integrimin e tyre në tregun e punës.
Po në kuadër të këtij aktiviteti, Prof. Dr. Xhevat Sopi, dekan i Fakultetit Ekonomik, dhe Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, prodekan, zhvilluan edhe një takim të veçantë me kryetarin e Bordit Këshillëdhënës (Industrial), z. Ibrahim Krivaqa, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe komunitetit të biznesit, si dhe për rolin e Bordit Këshillëdhënës në mbështetjen e procesit të riakreditimit dhe zhvillimin e programeve studimore në përputhje me nevojat e tregut të punës. /2LONLINE/
