Fabrika NutriVida një adresë e mirë që do të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë

Fabrika NutriVida një adresë e mirë që do të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë

“NutriVida Nutrients”- është fabrikë kanadeze e plehrave artificial e licencuar ne Kosovë. Ajo tani më i ka vënë themelet e saja në Gjilan duke bërë që kjo komunë, e me këtë Kosova, ta ketë një fabrikë që është e para dhe e vetmja e llojit të tillë në Ballkan.

Përndryshe, sipas drejtuesve të kësaj fabrike, kjo industri fokusohet në prodhimet e materieve ushqyese (fertilizereve) për të gjitha llojet e bimëve e që kanë efekt pozitiv në zhvillimin dhe rritjen e shëndoshë të tyre.

Prodhimtaria e këtyre produkteve unike në vend, ndihmon në kultivimin e të gjitha llojeve të fidanëve, perimeve, pemëve, luleve, shkurreve, të lashtave, e të tjera.

Melihate Murati, menaxhere e kësaj Fabrike i ka thënë Portalit 2LONLINE, se NutriVida, përkatësisht kjo industri prodhuese po e zgjeron gamën e prodhimit, duke sjellë në treg edhe materialin e ngurtë ushqyes.

“Jemi fabrika e vetme që bënë prodhimin e ushqimit të lëngët dhe të ngurtë për bimë prej zeros, do të thotë përzierjen, kombinimin apo tretjen e lëndës së parë përkatësisht procesimin e saj, që do të thotë nuk blihet koncentrati i gatshëm e pastaj të tretët apo përzihet, i ashtuquajtur ripaketim, por prodhim nga fillimi deri te produkti final për shitje. Kemi vendos që të prodhojmë edhe ushqim të ngurtë në formë pluhuri dhe granula, e cili është formuluar për të gjitha bimët varësisht nga faza e zhvillimit te tyre”, ka thënë Murati.

Melihate Murati thekson veçantinë e produkteve të fabrikës NutriVida.

“Ne ofrojmë fertilizere për të gjitha bimët, por e veçanta është se ne nuk prodhojmë plehra vetëm për të mbjellat në dhe apo tokë, por edhe për mediume tjera të rritjes së bimës që janë shumë pak të njohura te ne, si hidroponi (bimë të rritura në ujë), fibra të arrave të kokosit (coir) lesh xhami (rockwool),hidraton, e tjerë. Një veçori tjetër që i dallon produktet tona në tregun e Kosovës, por edhe më gjerë është se ne kemi edhe produkte për ndryshimin e vlerës së PH-së në kulturat e mbjelljes se bimës. PH e mediumeve ku rritet bima është shumë e rëndësishme sepse ndikon drejtpërdrejtë në marrjen apo ushqyeshmërinë e bimës me lëndë ushqyese. Sipas bujqësisë moderne, nuk mund të paramendosh të rrisësh bimët pa e matur dhe korrigjuar PH-në, në dhe (tokë) apo mediume tjera të rritjes dhe më pastaj edhe të ujit bashkë me lëndë ushqyese, varësisht nga kërkesat e llojit të caktuar të bimës”, -shtoi Murati.

Procesi i prodhimit të produkteve tona prej fillimit dhe deri në finalizimin e tyre nuk paraqet asnjë ndikim negativ në mjedisin ku jetojmë.

Përndryshe, Fabrika NutriVida edhe zyrtarisht do të inaugurohet në muajin maj të këtij viti dhe pritet të jetë ndihmesë dhe shtytje e madhe ne zhvillimin e bujqësisë kosovare, një adresë e mirë jo vetëm për bujqit kosovarë por edhe për vendet e rajonit.

KOMENTE