Zyrtarët amerikanë të inteligjencës dhe antiterrorizmit druhen se militantët e lidhur me “Al Qaeda”-n në Siri mund të krijojnë një qendër të aftë për ta kërcënuar Evropën
Dhuna e intensifikuar sektare dhe klanore ka paraqitur mundësi të reja për grupet xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe ka ngjallur shqetësime në mesin e zyrtarëve amerikanë të inteligjencës dhe antiterrorizmit se militantët e lidhur me “Al Qaeda”-n në Siri mund të krijojnë një qendër të aftë për ta kërcënuar Izraelin dhe Evropën, ka raportuar “The New York Times”.
Shenjat e reja të një kërcënimi të rritur xhihadist, nga Mali dhe Libia në perëndim, deri te Jemeni në lindje, e kanë komplikuar tregimin e një “Al Qaeda” të dobësuar që kreu amerikan, Barack Obama, e ka treguar në maj në një fjalim që paralajmëronte fundin e luftës kundër terrorizmit.
Udhëheqësit e komisioneve të inteligjencës të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, senatorja Dianne Feinstein dhe kongresisti Mike Rogers, kanë ngritur paralajmërimet në një intervistë me CNN të dielën, kur kanë thënë se amerikanët s’janë “më të sigurt” nga terrorizmi sesa më 2011.
Shqetësimet janë të bazuara pjesërisht në mesazhet e lëshuara këtë vit nga Ayman al-Zawahri, udhëheqësi i përgjithshëm i “Al Qaeda”-s, në të cilat ai thotë se e konsideron Sirinë – ku numri i kryengritësve xhihadistë dhe i luftëtarëve të huaj po rritet vazhdimisht – si një qendër premtuese.
Disa analistë dhe zyrtarë amerikanë thonë se kaosi atje mund ta shtyjë administratën Obama të marrë një rol më aktiv për të frenuar kërcënimet e mundshme nga grupet opozitare që po luftojnë kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad. Por, goditja e grupeve xhihadiste në Siri do të përballej me pengesa të konsiderueshme politike, ushtarake dhe ligjore, dhe do të mund t’i jepte mbështetje, të përkohshme apo taktike, qeverisë brutale por laike të Al-Assadit, thonë analistët.
“Ne duhet të fillojmë të bisedojmë përsëri me regjimin e Al-Assadit” për antiterrorizmin dhe për çështjet e tjera që na shqetësojnë të dy palëve, ka thënë Ryan C. Crocker, diplomat veteran i cili ka shërbyer në Siri, Irak dhe Afganistan. “Bisedimet duhet të bëhen me shumë, shumë fshehtësi. Por, sado i keq të jetë Al-Assadi, ai nuk është aq i keq sa xhihadistët që do t’ia zinin vendin atij”.
Mbetet e paqartë tani për tani nëse ose kur Shtëpia e Bardhë do të ishte e gatshme të bënte një lëvizje të tillë pas shumë vitesh në mbështetje të opozitës siriane. Kjo sigurisht se do të kërkonte negociata bajagi delikate me aleatët e saj të Lindjes së Mesme – veçanërisht me Arabinë Saudite – të cilët kanë qenë mbështetës mjaft të hershëm dhe të patundur të grupeve kryengritëse siriane.
Një burim të madh të shqetësimit përbën numri i myslimanëve nga vendet perëndimore që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe që mund të kthehen në vendet e tyre dhe të paraqesin një rrezik terrorizmi. Sipas analistëve, të paktën 1.200 myslimanë evropianë i janë bashkuar luftës në Siri.