Përderisa Prokuroria serbe për Krime pretendon se ka prova të forta se mjeku turk, Yusuf Sonmez, gjendet në Holandë, EULEX-i ende po e heton këtë informacion. Somnez është i dyshuar për trafikim të organeve të njerëzve në Kosovë.
Prokuroria serbe ka tetë ditë që ka informuar kryeprokurorin e EULEX-it, Jonathan Ratel, madje i ka dhënë edhe adresën se ku banon në Amsterdam i ashtuquajturi “Dr. Vdekja”.
Fakti se Sonmez gjendet në listën e të kërkuarve të Interpolit dhe nuk është arrestuar, tregon se EULEX-i ende nuk e ka informuar policinë holandeze se i kërkuari Sonmez ndodhet në kryeqytetin e Holandës, shkruan “Danas”, transmeton Telegrafi.
“EULEX-i është në dijeni të kësaj informate rreth të arratisurit Yusuf Sonmez, i cili thuhet se gjendet në Amsterdam”, i thanë “Danas” burime të EULEX-it.
Ndërkaq, Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi raporton se nuk është në dijeni se si i dyshuari ka mundur të ikë në Holandë, por që nuk ka dyshim se gjendet në Amsterdam.
“Të gjitha informatat i janë dorëzuar EULEX-it dhe tani mbetet në duart e tyre, ndërsa nuk e kuptojmë se pse po vonohet ky arrestim”, tha Prokuroria.
Yusuf Sonmez, i cili po kërkohet nga Interpoli për rastin “Medicus”, është gjykuar në mungesë në Kosovë për transplantim organesh.
“Dr. Vdekja” dyshohet se ka transplantuar organe në klinikën “Medicus” në Prishtinë, ku Lutfi Dervishi dhe djali i tij u dënua me tetë, përkatësisht shtatë vjet e tre muaj burg, transmeton Telegrafi.
Sonmez u arrestua në fillim të janarit 2011 në Stamboll, por u lirua pas marrjes në pyetje për mungesë faktesh.
Klinika “Medicus” është mbyllur në vitin 2008, ku në një raport thuhet se aty u hoqën organet e të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.