/2L ONLINE/ – Vjeshta Letrare e Gjilanit po vazhdon suksesshëm rrugën e saj edhe këtë edicion me aktivitetet e saja. Edhe këtë të shtune mblodhi dashamirët e librit, fjalës së shkruar, duke i bërë bashkë në një ngjarje ku u shpalos puna e deritanishme e krijuesit Sarë Gjergji, me krijimtarinë e tij letrare që nga botimet e para e deri te ato më të rejat. Pra ishte një ngjarje letrare ku u vlerësua krijimtaria e tij, veçmas poezia.
E veçanta e takimit të sotëm ishte nderimi që iu bë nga të pranishmit me një minutë nderim për të gjithë ata që humbën jetën në aktet terroriste në Paris, për ata njerëz të pafajshëm, të artit, kulturës, humanitetit…
Përndryshe, për portretin letrar të Sarë Gjergjit folën Isak Ahmeti, Mehmetali Rexhepi, Nexhat Rexha si dhe nikoqiri i këtij aktivitetit Sabit Rrustemi, ndërsa u deklamuan poezitë e Sarë Gjergjit nga studentja Xhezide Selimi.
Përndryshe nga folësit u tha se janë vlerat e veçanta artistike dhe kulturore ato që e karakterizojnë veprimtarinë e deritanishme të Sarë Gjergjit. Poezia e tij është me vlerë, atraktive e moderne. Duke u shtjelluar veprimtaria letrare e Sarë Gjergjit, u vu në spikamë etnikja dhe njerëzorja tek ky autor i më se dhjetë librave të botuara, por edhe i shumë shkrimeve të natyrave tjera.
Vet autori vlerësoi praninë e të gjithëve në këtë ngjarje letrare ku u fol për portretin krijues të tij, u falënderua për vlerësimin që iu bë librave të tij, por edhe për inkurajimin për të ecur tutje kësaj rruge, ndërsa për më tepër nga ai, në vend të fjalës së tij, po i japim më poshtë disa poezi të zgjedhura nga librat e botuar të autorit, përmes të cilave ai flet më së miri me ne.
***
NDRYSHE NGA BOTA
(Nënë Terezës)
Eja në këtë tokë
ku heroizohen kriminelët
e shenjtëria shëmtohet
ku njerëzit humbën shijen
për ujin, dheun e kripën
ku dashurinë besnike s’e duan
as dritën
Eja këtu
ku flijimi është kotësi
ku përdhosen Gjergji, Buzuku, Bogdani
këtu ku tëhuajsimi i shpirtit tjetërson qenien
Eja në këtë tokë – në tënden botë
që njeh vetëm gjeneralë
ku luhet me emrin Tënd
të mbërthyer në një shtatore larg syve të botës
ku jeta ushqehet me metafora
Eja,
eja e shumë lutu
për priftërinj e hoxhallarë
PËRGJËRIM
(Agim Ramadanit)
Kam etje, Poet
kam shumë etje
për një varg tëndin ëndërrimtar-si dikur
ndryshe do çmendem.
Kam etje, Piktor
sa shumë etje kam
për një pikturë plot ngjyra pranvere – si jeta jote
ndryshe e zeza po ngulfat çdo qelizë.
Kohë në veshje guaske po vjen
me arkitekturë të dizajnuar ndryshe
Atdheu
shije padroni ka.
Ike herët, mjerisht
Liria peng mbeti.
Eja sërish, Poet
Piktor, eja
Eja, Ushtari im
Të përgjërohem, Agim…
1981…
Atëbotë, unë dhe Vdekja i ndamë rrugët
unë drejt Udhës së Arbrit
drejt iluzionit makabër ajo
dhe vazhduam tutje
drejt ’89-s
drejt ’98-s
drejt hemisferës veriore të trupit tim
këtu sërish u takuam
për bukën tonë të përditshme, unë
për hipokrizinë e pushtetarit, ajo
për më shumë oksigjen…
MOHIMI I VETVETES
Te pritja zunë rrënjë shpresat e kalbura
ne ëndrrën për një shtet ideal në kullë funebre e kthejmë
zhveshim shpirtin nga qenia dhe brohorasim fuqishëm:
Poshtë Identiteti!
Tash dhimbjet e lindjes së shkretëtirës ndjen
dhe lavde-broçkulla i thur vetes
se dritën e tokës së parë mëri e ke;
botën dhe shtratin ku linde mallkon
i katandisur në leshnajë.
Populli im,
për ku je nisur?!
DËSHIRË
1.
Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh
shkretëtirën të ngopur me ujë
të veshur nga drurë frutorë
të shoh
nëse lulet në ajër mbi Saharë
përqafojnë stinët që duan
2.
Buzët e prushta të Ajshes
doja t’i shihja
qoftë edhe për një çast të vetëm
mungesën e lotit nën perçen e zezë
që i mbështjell shpirtin prej qumështi.
Oh, sikur t’i dhuroja
një trëndafil për Shën Valentin
e të dëgjoja rrëfimin e saj për mollën e ndaluar!
Kush e di nga se u bë Deti i Vdekur…
3.
Nuk dua asgjë më shumë – më besoni
se sa të shoh
si përmbytet nata
e si lind dielli në Lindje.
POEZI
1.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje!
Për mëkatar mos më merr
mos më përbuz për herezi
kur pa dashje shpërfill kërkesat e tua!
Pa frymën tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi.
2.
Mal metaforash është libri i poezisë
grackë simbolesh
ku gjallojnë herë-herë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna – të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtorësh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit.
Sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia –
lufta për dinjitet!
POET
Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë.
Midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të çorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë.
Eja sërish, të lutem,
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja!