Një ndër shqetësimet më të shpeshta që manifestojnë të gjitha grupmoshat janë edhe ethet, nëpërmjet të cilave trupi reagon kundrejt viruseve dhe baktereve që sulmojnë organizmin tonë.
Në shumë raste ethet mund të jenë tregues i një sëmundjeje të caktuar, por shpesh ato shfaqen si pasoje e temperatures se larte.
Teknikisht, çdo temperaturë e trupit mbi vlerën 37 gradë Celsius e matur në gojë, poshtë gjuhës, dhe mbi 37.2 gradë Celsius e matur në anus (rektale), konsiderohet e ngritur.
Ethet shërbejnë si një nga mbrojtjet natyrore të trupit kundër baktereve dhe viruseve që nuk mund të jetojnë në temperatura të larta.
Për këtë arsye ethet e ulëta (nën vlerën 38 gradë Celsius) nuk duhen trajtuar përveç rasteve që shoqërohen me simptoma (shenja) shqetësuese.
Mekanizmat mbrojtës të trupit duket se punojnë në mënyrë më efikase në një temperaturë më të lartë.
Ethet më të larta se 40 gradë Celsius mund të jenë të rrezikshme dhe kërkojnë një trajtim të menjëhershëm në shtëpi dhe kujdes të menjëhershëm mjekësor.