DYLON

Estetika e së mundshmes

Estetika e së mundshmes
Redaksia


Përtej transformimit të objekteve dhe pjesëmarrjes së publikut, praktika e Sislej Xhafës mund të lexohet si një kërkim për format e tjera të ekzistencës, një përpjekje për ta çliruar realitetin nga funksionet e imponuara, për ta kthyer imagjinatën në fuqi kritike dhe për ta menduar artin si një hapësirë ku bota mund të organizohet ndryshe.

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

EkoHigjiena

Arti bashkëkohor nuk e ndryshon domosdoshmërisht botën duke prodhuar objekte të reja. Ndonjëherë, ndërhyrja e tij më e rëndësishme ndodh kur e bën botën ekzistuese të duket e huaj, sikur ta shohim për herë të parë. Një send i zakonshëm humbet sigurinë e funksionit të vet, një material i rëndë merr karakterin e një forme të brishtë dhe një hapësirë ekspozuese pushon së qeni vetëm vendi ku paraqiten veprat. Në këtë çast, realiteti nuk zhduket, por fillon të tregojë mundësi që deri atëherë kanë mbetur të padukshme. Kjo është një nga pikat më produktive prej nga mund të lexohet krijimtaria e Sislej Xhafës dhe veçanërisht ekspozita e tij L’eau sans rivière (Uji pa lumë), e prezantuar nga Galleria Continua në hapësirën Les Moulins, në Francë, nga 14 tetori deri më 20 dhjetor 2026. Ekspozita ndërthur vepra të krijuara gjatë më shumë se dy dekadave të praktikës së artistit, realizime të reja dhe projektin kolektiv Le Village de l’Imagination (Fshati i imagjinatës), të zhvilluar me fëmijë dhe të rinj nga komuniteti lokal. Megjithatë, përtej paraqitjes së veprave dhe organizimit të një përvoje pjesëmarrëse, kjo ekspozitë hap një çështje më të gjerë estetike, a mund ta mendojmë artin si një mënyrë për t’i çliruar gjërat nga identitetet e tyre të zakonshme dhe, përmes këtij çlirimi, për të imagjinuar një realitet që nuk është i detyruar të mbetet ashtu siç është? Për ta kuptuar këtë mundësi, propozoj një koncept interpretues që mund ta quajmë estetika e së mundshmes. Kjo nuk nënkupton krijimin e një bote fantazie të shkëputur nga realiteti. Përkundrazi, nënkupton zbulimin e alternativave brenda vetë realitetit, duke ndërhyrë në marrëdhëniet që përcaktojnë funksionin e objektit, vlerën e materialit, rolin e individit dhe mënyrën se si organizohet përvoja e përbashkët.

Një objekt i zakonshëm duket sikur e ka të përcaktuar fatin e vet. Karroca përdoret për të transportuar, hamaku për të pushuar, hekuri shërben si material ndërtimi, ndërsa shalqiri i përket botës së konsumit. Këto funksione na duken aq të natyrshme, sa rrallëherë mendojmë se ato janë gjithashtu rezultat i konventave, përdorimeve dhe marrëdhënieve që kemi krijuar me sendet. Në veprat e Xhafës, këto siguri fillojnë të lëkunden. Një karrocë dore shndërrohet në Rocket Ship, një anije kozmike e imagjinuar, një shalqi merr rolin e autoportretit, hekuri merr formën e luleve, ndërsa hamaku vendoset në një territor të paqëndrueshëm midis pushimit dhe pasigurisë. Objektet nuk e humbin plotësisht identitetin e tyre, por largohen nga përdorimi që ua njeh përditshmëria. Pikërisht këtu ndodh ndërhyrja artistike. Xhafa nuk na kërkon vetëm të shohim një karrocë si anije kozmike, por të pyesim pse një objekt duhet të mbetet përgjithmonë brenda funksionit të tij fillestar. Çfarë e pengon sendin të bëhet diçka tjetër? Kufizimi material, sigurisht, por edhe kufizimi i imagjinatës sonë. Kjo zhvendosje mund të ketë një domethënie më të gjerë se ajo që shfaqet në planin vizual. Shoqëritë i organizojnë sendet, hapësirat dhe njerëzit përmes funksioneve të caktuara. Një objekt vlerësohet sipas dobisë së tij, një hapësirë sipas asaj që prodhon, një individ sipas rolit që kryen. Kur këto funksione paraqiten si të vetmet të mundshme, çdo devijim duket i panevojshëm, joproduktiv ose i pakuptimtë.

Arti mund të hyjë pikërisht në këtë çarje. Duke i dhënë një objekti një identitet tjetër, ai nuk e shkatërron funksionin e mëparshëm, por tregon se ai nuk është i vetmi. E zakonshmja bëhet e negociueshme. Këtu qëndron edhe karakteri kritik i ironisë së Xhafës. Ajo nuk shërben vetëm për të prodhuar befasi, por për të çrregulluar një rend të njohur të kuptimit. Në vend që të na japë një përgjigje të drejtpërdrejtë për problemet e realitetit, artisti ndryshon rrethanat në të cilat ne i perceptojmë ato. Një karrocë mund të mos bëhet realisht anije kozmike, por mund ta bëjë të pamundurën të mendohet për një çast si alternativë e besueshme. Në këtë pikë, imagjinata nuk është arratisje nga realiteti. Ajo është një mënyrë për të zbuluar kufijtë e tij të ndërtuar.

Uji pa lumë

Titulli L’eau sans rivière (Uji pa lumë ) sugjeron një figurë që e zgjeron këtë interpretim. Uji zakonisht mendohet në lëvizje, por lumi ia përcakton drejtimin, shtratin dhe kufijtë. Të mendosh ujin pa lumë do të thotë të përfytyrosh një lëvizje që nuk është plotësisht e nënshtruar ndaj një trajektoreje të paracaktuar. Në këtë kuptim, titulli mund të lexohet si metaforë e një bote ku format nuk kanë pse t’i binden vetëm një rendi të caktuar. Është një figurë e lirisë së materialit, por edhe e lirisë së kuptimit. Objekti mund të ndryshojë funksion, hapësira mund të ndryshojë rol dhe përvoja artistike mund të marrë forma që nuk janë përcaktuar plotësisht që në fillim. Kjo ide është veçanërisht domethënëse në një kohë kur jeta bashkëkohore strukturohet përmes sistemeve të klasifikimit, matjes dhe kontrollit. Shumë gjëra njihen përmes kategorisë ku vendosen dhe vlerësohen sipas aftësisë për ta përmbushur një qëllim të përcaktuar. Por çfarë ndodh me atë që nuk përshtatet? Me objektin që nuk i bindet përdorimit të zakonshëm, me individin që nuk identifikohet plotësisht me një rol, me përvojën që nuk mund të përmblidhet në një rezultat të matshëm? Estetika e së mundshmes e vendos këtë mospërputhje në qendër të vëmendjes. Ajo nuk kërkon domosdoshmërisht një rend të ri që do ta zëvendësonte rendin ekzistues me një tjetër po aq të ngurtë. Përkundrazi, propozon një gjendje ku format mbeten të hapura ndaj transformimit.

Megjithatë, liria pa drejtim nuk është domosdoshmërisht liri pa kufij. Edhe në këtë ekspozitë, materialet kanë karakteristikat e tyre, objektet ruajnë gjurmët e përdorimeve të mëparshme dhe hapësira e galerisë mbetet një kontekst konkret. Për këtë arsye, transformimi artistik nuk është krijim nga asgjëja. Ai lind nga marrëdhëniet midis asaj që ekziston dhe asaj që ende mund të bëhet. Pra arti i Xhafës është vizion përtej realitetit nga realiteti drejt horizontit të pa kufi. Uji nuk pushon së qeni ujë vetëm pse përfytyrohet jashtë shtratit të lumit. Ngjashëm, objekti i Xhafës nuk e humbet historinë e tij materiale kur hyn në një marrëdhënie të re me imagjinatën. Kuptimi i ri mbart gjurmët e kuptimit të vjetër, por nuk është më i detyruar t’i nënshtrohet atij. Gara ndëmrjet imagjinatës dhe realitetit është një sfidë dhe rezultati pra buron nga të dyjat sepse vetëm të ishte imagjinata do të ishte e përcaktuar nga kufiri i vetës e kështu realiteti ndihmon filtrin pra imagjinaten ta zbërthej dhe ta dërgoj drejt lartësive.

Materiali si kujtesë dhe si mundësiDruri, gurët, gjethet, toka, balta, uji dhe objektet e gjetura përfshihen në peizazhin e ekspozitës. Këto materiale nuk kanë të njëjtën histori dhe as të njëjtën marrëdhënie me trupin, natyrën apo prodhimin njerëzor. Disa lidhen me proceset natyrore, të tjerat me punën, ndërtimin dhe përdorimin e përditshëm. Kur bashkohen në një mjedis artistik, ato krijojnë mundësinë që këto histori të takohen pa u shkrirë domosdoshmërisht në një kuptim të vetëm. Kjo marrëdhënie mund të lexohet si një lloj ekologjie artistike. Termi këtu nuk nënkupton thjesht një temë mjedisore, por një mënyrë të të menduarit ku materialet, objektet, hapësira dhe pjesëmarrësit kuptohen përmes marrëdhënieve që krijojnë me njëri-tjetrin. Në këtë ekologji, asgjë nuk është plotësisht e izoluar. Objekti ndikohet nga mënyra se si vendoset, hapësira ndryshon sipas veprave që përmban, ndërsa kuptimi varet edhe nga përvoja e atij që e përjeton. Vepra nuk është vetëm një formë e përfunduar, por pjesë e një rrjeti marrëdhëniesh. Kjo mënyrë e të menduarit e largon materialin nga ideja e një elementi të heshtur që pret të marrë formë vetëm përmes vullnetit të artistit. Materiali ka rezistencën, kufizimet dhe mundësitë e veta. Druri nuk sillet si hekuri, balta nuk i përgjigjet prekjes njësoj si guri dhe uji nuk mund të ruajë formën e një objekti të fortë pa ndërhyrje të tjera. Krijimi ndodh në marrëdhënien midis synimit dhe rezistencës së materialit. Kështu, arti nuk është vetëm imponim i formës mbi botën fizike. Ai mund të jetë edhe një proces dëgjimi ndaj asaj që materiali lejon, kundërshton ose sugjeron.

Për këtë arsye, shndërrimi i hekurit në lule ka një fuqi të veçantë pamore. Përballja mes fortësisë së materialit dhe delikatesës së formës krijon një kontrast që nuk ka nevojë të shpjegohet me një mesazh të gatshëm. Shikuesi e përjeton tensionin midis dy cilësive që zakonisht i mendon të ndara. Ajo që duket e papajtueshme bëhet e bashkëpranishme. Këtu estetika e së mundshmes shfaqet si një aftësi për të krijuar marrëdhënie të reja, jo domosdoshmërisht për të zhdukur dallimet. Arti nuk e bën hekurin të brishtë në kuptimin fizik, por e vë në pikëpyetje sigurinë tonë se fortësia dhe brishtësia duhet t’u përkasin formave të ndara.

Fëmija si bashkëkrijues, kush e zotëron imagjinatën?

Projekti Le Village de l’Imagination e zhvendos çështjen e transformimit nga objekti te vetë procesi i krijimit. Fëmijët dhe të rinjtë e moshës 5-17 vjeç ftohen të vizatojnë, të pikturojnë, të ndërtojnë, të shkruajnë, të lëvizin, të luajnë dhe të performojnë. Në vend të një metodologjie të përcaktuar paraprakisht, projekti mbështetet te vëzhgimet, përvojat dhe imagjinata e pjesëmarrësve. Kjo qasje krijon një pyetje thelbësore, a është krijimtaria një pronë individuale që i përket vetëm autorit, apo mund të shfaqet edhe përmes një procesi ku autori nuk e kontrollon plotësisht rezultatin? Në modelin tradicional të ekspozitës, artisti zakonisht paraqitet si burimi kryesor i veprës, ndërsa publiku e takon atë pasi është përfunduar. Në një proces kolektiv, kufiri ndërmjet krijuesit dhe shikuesit mund të bëhet më i lëvizshëm. Pjesëmarrësi nuk është vetëm ai që sheh, por mund të jetë edhe ai që ndërhyn, ndryshon, propozon ose e çon procesin në një drejtim të paparashikuar. Kjo nuk e zhduk rolin e artistit dhe as përgjegjësinë e tij për organizimin e projektit. Përkundrazi, e ndryshon natyrën e autorësisë. Artisti nuk është vetëm ai që prodhon objektin, por mund të jetë edhe ai që krijon kushtet që të tjerët të prodhojnë forma dhe kuptime.

Në këtë rast, imagjinata bëhet një hapësirë e përbashkët, por jo domosdoshmërisht homogjene. Secili pjesëmarrës sjell përvojat, perceptimet dhe mënyrat e veta të shprehjes. Rezultati potencial nuk është një zë i vetëm kolektiv, por një marrëdhënie ndërmjet zërave të ndryshëm. Ky është një dallim i rëndësishëm për edukimin artistik. Fëmija nuk duhet të trajtohet si një krijues i paplotë që pret të mësojë të prodhojë art sipas modeleve të të rriturve. Ai është një subjekt që vëzhgon, interpreton dhe ndërton marrëdhënie me botën në mënyrën e vet. Kur i jepet hapësirë për të eksperimentuar, krijimtaria nuk kufizohet te riprodhimi i një rezultati të paracaktuar. Megjithatë, pjesëmarrja nuk garanton automatikisht liri. Një projekt kolektiv mund të jetë i hapur në dukje, por përsëri të kontrollohet nga pritshmëritë e institucionit ose nga dëshira për një rezultat estetik të parashikueshëm. Prandaj, rëndësia e një procesi të tillë matet edhe nga aftësia e tij për ta pranuar pasigurinë, ndryshimin dhe mundësinë që rezultatet të mos përputhen plotësisht me synimin fillestar.

Në këtë pikë, projekti i Xhafës mund të lexohet si një provë e lirisë krijuese, jo liri për të bërë gjithçka pa asnjë kufi, por liri për të marrë pjesë në formësimin e një përvoje që nuk është vendosur e gjitha paraprakisht.

Të ndryshosh botën duke ndryshuar mënyrën e të parit

Praktika artistike e Sislej Xhafës na fton ta mendojmë transformimin në disa nivele njëherësh. Objekti largohet nga funksioni i zakonshëm, materiali hyn në marrëdhënie të reja me formën, publiku mund të bëhet pjesëmarrës në procesin krijues, ndërsa galeria shndërrohet në një hapësirë ku përvoja artistike nuk është plotësisht e paracaktuar. Këto nivele bashkohen në një ide që e tejkalon lojën formale, realiteti nuk përbëhet vetëm nga ajo që është e dukshme, e përdorshme dhe e emërtuar, por edhe nga mundësitë që mbeten të fshehura brenda tij. Një objekt mund të bëhet diçka tjetër jo sepse e mohon atë që ka qenë, por sepse na tregon se identiteti i tij nuk është i mbyllur. Një fëmijë mund të bëhet bashkëkrijues jo sepse i caktohet një rol simbolik, por sepse i hapet mundësia të ndikojë realisht në një proces. Një galeri mund të bëhet laborator jo sepse heq dorë nga funksioni i saj institucional, por sepse e zgjeron atë drejt përvojave të reja.

Në këtë kuptim, estetika e së mundshmes nuk është një estetikë e përsosmërisë, as një premtim se çdo kufi mund të kapërcehet lehtësisht. Ajo është një mënyrë për të vënë në pikëpyetje idenë se gjërat duhet të mbeten përgjithmonë në formën që u është caktuar. Ajo na mëson të dallojmë mes kufizimit që buron nga vetë natyra e një materiali dhe kufizimit që prodhohet nga zakoni, pritshmëritë ose rendet shoqërore. Prandaj, L’eau sans rivière mund të lexohet si një ftesë për ta parë botën jo si një sistem të mbyllur funksionesh, por si një fushë marrëdhëniesh që mund të ndryshojnë. Arti nuk e zëvendëson realitetin me një realitet të përsosur dhe as nuk i ofron publikut zgjidhje të gatshme. Ai hap një interval ndërmjet asaj që ekziston dhe asaj që mund të ekzistojë. Në atë interval, karroca mund të niset drejt hapësirës, hekuri mund të marrë trajtën e një luleje dhe imagjinata mund të vazhdojë të rrjedhë pa pasur nevojë për një shtrat të vetëm. Por transformimi më i rëndësishëm ndodh te shikuesi, te gatishmëria për të mos e pranuar pamjen e parë si të vetmen të mundshme.

Ndoshta këtu qëndron edhe fuqia artistike e artit të Xhafës. Ai nuk na kërkon vetëm të imagjinojmë objekte të pamundura, por të vëmë në dyshim mekanizmat që e përcaktojnë të mundshmen. Dhe pikërisht kur kjo pyetje del nga galeria dhe hyn në jetën e përditshme, arti fiton një dimension që nuk kufizohet më te objekti, bëhet ushtrim i lirisë për të menduar dhe për të ndërtuar marrëdhënie të tjera me botën.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.