Eshtrat e Isa Boletinit do të gjejnë prehje veçse në Boletin
Shkruan: Nexhat Dedia
Ne si shqiptarë po vuajmë shpesh, jo për shkak të dhunës dhe njerëzve të këqij, por për shkak të heshtjes se njerëzve të mirë, intelektual, atdhetarë, patriotë, etj. Për ne, si qytetarë të Mitrovicës, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, po ndodh të jetë si lehtë, me humb troje ose ndokënd, si tani në rastin e varrimit të eshtrave të heroit kombëtarë, Isa Boletinit që po dëshirohet të largohet nga trualli i tij i lindjes!
Në kohen e Isa Boletinit ku ishin trojet shqiptare, dhe për momentin sa i kemi të humbura? Pse gjithmonë ne duhet ulur kokën që ta ruajmë qetësinë e Ballkanit dhe Evropës, e se me dialog do të zgjidhen dhe të kthehen edhe ato troje të cilat janë të uzurpuara nga armiqtë sllav. Por, shtrohet pyetja a do të kthehen me dialog apo duhet që të ngrihemi prapë dhe ti rimarrim?
Pse po ndodh që të merremi me këtë çështje pikërisht kur të gjithë janë të përqendruar në luftën e Kumanovës, dhe se sa herë ndodh diçka në interes të kombit ne gjejmë rruge për t’ia tërhequr vëmendjen popullatës. Në këtë rast të harrohet Kumanova, të harrohet ajo dhunë, ajo masakër e cila ndodhi nga pushteti sllavomaqedon me ushtri e polici mbi popullatën civile, e të merremi ku do të varrosen eshtrat e Isa Boletinit.
Siç po shihet me vetëdije apo pa vetëdije dikujt po I konvenon kjo situatë, ta gjuajmë topin diku tjetër dhe shqiptarët e Kosovës ta harrojnë Kumanovën dhe të merren me eshtrat e heroit kombëtar dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Ne trojet tona, sllavët ndërtojnë përmendore, manastire historike të rrejshme në dëm tonin, ku ato manastire në qofte se hulumtohen, dalin të gjitha shqiptare, kurse ne heshtim për shkak të qetësisë evropiane. Duhet ta dinë të gjithë se qetësia ballkanike dhe evropiane do të ekzistojë kur shqiptarët t’i marrin të drejtat e tyre, trojet e tyre etnike siç deshi Isa Boletini dhe shumë patriotë të tjerë. Neve nuk duhet të na interesojë qetësia e askujt përderisa nuk ekziston qetësia në trojet tona.
Serbia, dihet dhe shihet se nuk ka hequr dorë prej cilësimit armiq për shqiptarët. Ajo vazhdon të ndjekë ndaj shqiptarëve të njëjtën politikë që ka ndjekur Ilia Graçanini, Pashiqi, Çubriloviçi, Tito, Milosheviçi, etj. Dhe është krenare dhe deklarative në ndjekjen e kësaj politike. Ndërsa nga ne kërkohet qetësi. Sepse politikanët shqiptarë janë shumë të zënë duke kërkuar armiq ndërmjet njëri tjetrit e nuk kanë mundësi të shikojnë më tej se u është errësuar shikimi. Rrezja e shikimit të tyre arrin nga pozita tek opozita, nga opozita tek pozita. Nga e djathta tek e majta, nga e majta tek e djathta. Më tej është terr politik. Më tej për ta nuk ka armiq.
Puna është se varrimi i Isa Boletinit siç po shihet po propozohet të bëhet në Vlorë për hatrin e Serbisë, e a mund të ketë turp më të madh që të mos i plotësohet amaneti i heroit kombëtar i cili i tha Pashës në Stamboll: “Më të mirë janë gurët e Boletinit sesa Sarajet e Stambollit”?
Ne si mitrovicas çka do t’i themi pasardhësve tanë, pse Isa Boletini nuk u varros në vendlindjen e tij?! Historia do të na dënojë dhe nuk do të na falë kurrë nëse e bëjmë një gabim të tillë.
Ne Shqipërinë e kemi nënë, e vlerësojmë shumë, por në këtë rast ne si veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët u betuam nën flamurin kombëtar se nuk do të pushojmë asnjëherë deri në çlirimin e trojeve tona etnike, nuk lejojmë që varrimi i eshtrave të Isa Boletinit të ndodhë jashtë vendlindjes së tij.
Përmendët se Boletinët janë prej Pecit të Shalës që pastaj u vendosen në Isniq, e Peci i Shalës së Bajgores përbëhet nga tri fshatra: Boletin, Rahove dhe Zhazhë, fshatra te cilat përmenden në regjistrimin turk të vitit 1469, e familja Boletini ishte pjese përbërëse e kësaj vëllazërie e cila si rezultat i rrënimit të kështjellës se këtij fshati dhe të pasigurisë, detyrohen të lëvizin më në brendi të territorit shqiptar dhe vendosën në Isniq, duke lënë pas vetes shumë pasuri, toka pune dhe një kishë të vogël që u shërbente për rite të tyre fetare. Pas përmendjes së këtyre fshatrave në këtë regjistër të vitit 1469 nuk qëndron fakti se këto fshatra janë themeluar pas ardhjes së familjes se Isës në Boletin, nga Isniqi, por familja e Isës ishte rikthyer në pronat e tyre, prej nga ishte larguar.
Duke iu referuar dokumentit të arkivit qendror shqiptar mbi gjenealogjinë e Boletinëve dhe veçanërisht familjes së Isa Boletinit, del se tetë brezat e parë të kësaj familjeje ishin të besimit krishterë-katolik që të qojnë deri në shekullin XVI, e tendenca e politikes dhe e propagandës sllavo-ruse është që popullatën shqiptare të Kosovës ta paraqesin me origjine nga Shqipëria.
Kështu që edhe popullatën e krahinës së Shalës së Bajgores që i përket fisit Shalë ta nxjerrin nga Shala e Shqipërisë Veriore, e që kjo ide mjerisht ka qarkulluar dhe ende qarkullon ne mendje të atyre që pak dinë për Shalën e Bajgores dhe Shalën e Shqipërisë Veriore. Duke mos pasur as njohuritë më elementare, disa pseudo-historianë vazhdojnë të trumbetojnë duke mbrojtur tezen sllave se popullsia e Kosovës ka origjinën nga Shala e Shqipërisë. Kjo është një propagandë shumë e përhapur ndër shqiptarët e Kosovës ngase mungon informimi i drejtë, ndërsa informata propagandiste u është ngulitur në kokë. Në asnjë rast shqiptarët nuk u zgjeruan në drejtim të Veriut por u tkurren nga ky drejtim në drejtim të Jug-Perëndimit.
Ne si zonë e Shalës dhamë shumë për këtë vend, dua te ndalem ne 4 shtylla, në pika te shkurtra:
1. Isa Boletini me shumë Shaljan nga Shala luftoi dhe kontribuoi për trojet shqiptare ku bota e njohu si gjeneral të luftës.
2. Lufta e Dyte Botërore në tërë Evropën përfundoi me 1945 ndërsa në Shalë përfundoi me 1947.
3. Me 1989 greva e minatorëve të Shalës në Trepçë i dridhi themelet e ish Jugosllavisë, grevë e cila u përkrah nga të gjithë shqiptarët dhe ku u solidarizuan të gjitha minierat e botës me minatorët tanë.
4. Me 1999 në luftën e fundit të lavdishme me zënien rob të 8 ushtarëve serb, pikërisht nga ushtarët shaljan në fshatin Bare të Shalës së Bajgorës, Serbia pranoi negociatat dhe faktori ndërkombëtarë e njohu Ushtrinë Çlirimtare si ushtri të rregullt e cila korri fitore në bashkëpunim me NATO-n.
Nuk po e kuptoj pse gjithë këto tendenca kundër regjionit të Shalës, regjion ky i cili është me i prapambeturi në trojet shqiptare, pa zhvillim ekonomik, pa rrugë, pa perspektivë, ku dita ditës është duke u zbrazur për shkak të kushteve të mjerueshme. Deri kur kështu, kur dihet se kjo popullatë këtyre trevave jeton mbi ARI.
Unë personalisht, në emër të veteranëve të Zonës së Shalës dhe mitrovicasve e kundërshtojë largimin e eshtrave të Isa Boletinit nga vendlindja e tij. Eshtrat e Isa Boletinit duhet të varrosen n ëBoletin e jo në Vlorë.
/autori është themeluesi i njësitit të parë të UÇK-së, në Zonën Operative të Shalës, tani asambleist i PDK-së në Mitrovicë/
