/2L ONLINE/ – Në Pozheran të Vitisë, sot është vu gur themeli i objektit të ri të shkollës fillore “Halil Alidemaj”. Në këtë ceremoni solemne të fillimit të punimeve , pos nxënësve dhe personelit të kësaj shkolle, të pranishëm ishin edhe zv.ministrat e Arsimit dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal. Strukturave komunale, si dhe mysafirë e qytetarë të këtij lokaliteti.
Në emër të banorëve të Pozheranit, Naim Pira njëherit edhe kryesues i Kuvendit Komunal në Viti, ka theksuar rendësin e madhe që ka shkolla e Pozheranit, duke përmendur edhe kontributin e madh të dhënë në periudha të ndryshme qysh nga themelimi i shkollës së parë shqipe nga mësuesi Islam Pira.
“Ky gur themel i shkollës së re, po bëhet në 111 vjetorin e shkollës së parë shqipe në Pozheran, andaj ka qenë e nevojë imediate për këta nxënës dhe në përgjithësi për këtë lokalitet”, ka thënë Pira.
Kurse drejtoresha e shkollës “Halil Alidemaj” Valbona Halimi, e cila duke folur për historikun e shkollës shqipe në Pozheran, tha se për herë të parë shkolla në Pozheran nisi më 1905 kur edhe u ndërtyua objekti i parë.
“Objekti i dytë u ndërtua më 1953, për të pasuar me objektin e tretë më 1962 ky i cili kemi mësuar deri më sot, ndërsa objekti i katërt po fillon sot. Kjo është dëshmi e punës së mirë që është bërë për vite të tëra, por edhe të gjitha meritat i takojnë të nderuarit kryetarit të komunës Sokol Haliti i cili ka dhënë një kontribut të madh për fillim të ndërtimit të shkollës, por një falënderim edhe për përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit”, ka thënë drejtoresha Halimi.
Kurse zv. ministri i Arsimit Mevludin Krasniqi, ka thënë se ky lokalitet meriton një investim të tillë, meriton një shkollë të re sepse në periudha të ndryshme ka dhënë kuadro që i kanë kontribuar vendit, siç është atdhetari Halil Alidemaj.
Ndërkaq kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke falënderuar gjithë ata që e mbështetën për të nisur realizimi i këtij projekti, në veçanti Ministrinë e Arsimit, ka thënë se për ndërtimin e kësaj shkolle, kontributi ka qenë i përbashkët, sikur edhe të projekteve të tjera që janë realizuar në Pozheran.
“Po e vendosim një gur themel të një shkolle e cila është prodhim i shkollës së parë shqipe, ku gravitojnë mbi 1000 nxënës. Kur flasim për merita, mund të themi se meritat i kemi të gjitha të përbashkëta si komuna e Vitisë, Kuvendi Komunal, partitë politike, niveli qendror dhe të gjithë ata që po kontribuojnë për të mirën e këtij vendi. Ne bashkë e arritëm pavarësimin e shkollës së mesme këtu në Pozheran, sikur që arritëm të zbukurojmë qendrën e këtij lokaliteti me parkun, ndërtuam ambulanten, infrastrukturën dhe projektet tjera që po i realizojmë”, ka thënë kryetari Haliti, duke uruar nxënësit dhe personelin e shkollës që me krenari mban emrin me krenari të pishtarit dhe atdhetarit Halil Alidemaj.
Ndërtimi i objektit të ri shkollorë në këtë fshat, do të realizohet me mjete financiare nga ministria e arsimit, i cili do ti ketë në dispozicion të gjitha kushtet që i takojnë një objekti të standardit evropian, e që pritet të përfundoj brenda periudhës 3 vjeçare dhe do të kushtoj rreth 3 milion euro.
Gur themelin e shkollës e vunë kryetari Haliti, zv. ministri i arsimit Mevludin Krasniqi, kryesuesi i KK-së Naim Pira, përfaqësuesi i familjes së Halil Alidemajt dhe drejtoresha e shkollës. /2L ONLINE/