Me ndeshje miqësore futbollistike ku morrën pjesë ekipet nga Komuna , KFOR-i amerikan, Policia e Kosovës dhe këshilli i fshatit Ramjan, është përuruar sot fusha sportive e SHFMU “Skender Emërllahu” në Ramjan, që është rregulluar me shtresën prej gome.
I pranishëm në përurimin e kësaj fushe ishte edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, i cili u shpreh se me këtë projekt, të kompletimit me rregullimin e shtresës së gomës, kjo fushë plotëson kushtet për një zhvillim sa më të mirë të ndeshjeve futbollistike aty.
Ai më tej ka theksuar se këto punime janë realizuar në kuadër të projektit për kompletimin e fushave sportive në disa fshatra të komunës së Vitisë.
Ndërsa këshilli i fshatit Ramjan, ka shprehur falenderime për udhëheqësit komunal, për mbështetjen e këtij projekti dhe projekteve të tjera që po realizohen në këtë lokalitet.