DYLON

Është pensionuar Sinan Sadiku, udhëheqës i Zyrës së Punësimit në Kamenicë

Është pensionuar Sinan Sadiku, udhëheqës i Zyrës së Punësimit në Kamenicë
Avatar photo Redaksia

Është pensionuar Sinan Sadiku, udhëheqës i Zyrës së Punësimit në Kamenicë, por I njohur nga të gjithë për kontributin e tij të madh edhe në fushën e letërsisë, shkrimtar, autor i disa veprave, kritik letrar, publicist, njëri nga themeluesit e Klubit Letrar “Nositi”, kontributdhënës i madh në zhvillimin e jetës kulturore, me theks të veçantë në Kamenicë, Gjilan, por edhe më gjerë.

Në fushën e letërsisë ka ofruar me shumë sukses vlera, që frymëzojnë secilin lexues dhe për ju lexues po e risjellin një shkrim të mëhershëm, në lidhjen e mëposhtme, të shkrimtarit e kritikut letrar, Nexhat Rexha, për portretin letrar të Sinan Sadikut.

EkoHigjiena

LEXO:  PORTRETI LETRAR I SINAN SADIKUT

Përndryshe, kur jemi te pensionimi i tij nga detyra që ushtronte deri më sot, kujtojmë se detyrën e Udhëheqësit të Zyrës së Punësimit në Kamenicë e ka kryer prej fillimit të korrikut të vitit 1999, ose gati 26 vjet e 4 muaj, duke qenë përherë në shërbim të qytetarëve që kanë kërkuar punë dhe të punëdhënësve që kanë kërkuar punëtorë.

Përndryshe, ja fjala e tij e plotë me rastin e pensionimit të parakohshëm.

NË PENSION TË PARAKOHSHËM

Pikërisht sot, më 31.10.2025, kur u përurua panorama poetike “Det ëndrrash” e hartuar nga unë, ishte dita e fundit e imja në detyrën e Udhëheqësit të Zyrës së Punësimit në Kamenicë. Prej 01.11.2025, për shkak të problemeve shëndetësore, do të jem pensionist i parakohshëm.

Detyrën e Udhëheqësit të ZP-së në Kamenicë e kam kryer prej fillimit të korrikut të vitit 1999, ose gati 26 vjet e 4 muaj. Në vitin 1999 kemi filluar prej zeros, sepse në objektin ku ka vepruar Enti i Punësimit dhe në objektin e komunës qe vendosur KFOR-i rus i cili nuk na pati lejuar ta merrnim asnjë dokument.

Falë angazhimit të përbashkët me personelin e ZP-së dhe bashkëpunimit me nivelin qendror e rajonal shpejt e patëm funksionalizuar institucionin. Kemi qenë në shërbim të njerëzve që kanë kërkuar punë dhe të punëdhënësve që kanë kërkuar punëtorë.

Me personelin e ZP-së në Kamenicë kemi punuar dhe bashkëpunuar me profesionalizëm, korrektësi e mirëkuptim të plotë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i kemi kryer detyrat tona, duke u dalë në ndihme të papunësuarve që kanë kërkuar punë dhe duke i realizuar Masat Aktive të Tregut të Punës (MATP) të dizajnuara nga niveli qendror në interes të punëkërkuesve dhe të punëdhënësve.

E di që nevojat dhe kërkesat kanë qenë më të mëdha, por buxheti i ndarë për këtë fushë nuk ka qenë i mjaftueshëm, po ka pas edhe kufizime të shumta të parapara me ligje dhe me akte nënligjore.

Gjatë punës në pozitën e Udhëheqësit të ZP-së në Kamenicë kemi punuar dhe bashkëpunuar si është më së miri me personelin e ZP-së në Kamenicë, me drejtorin e Qendrës Rajonale për Punësim në Gjilan dhe personelin e asaj qendre.

Deri në vitin 2017, kur është themeluar Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës (APRK), ka funksionuar niveli rajonal dhe drejtori i asaj qendre ka qenë edhe drejtor i imi. Thuajse gjatë tërë kohës drejtor ka qenë z. Xhevat Aliu, një punëtor i madh, i përpiktë dhe principiel me të cilin ka qenë kënaqësi të punosh.

Prej vitit 2017 nuk ka nivel rajonal dhe Udhëheqësit e Zyrave të Punësimit i raportojnë drejtpërsëdrejti Drejtorit të Përgjithshëm të APRK-së.

Po ashtu kemi bashkëpunuar shumë mirë me Udhëheqësin e ZP-së në Viti z. Isuf Behluli dhe Udhëheqësit e Zyrave të tjera dhe kuptohet me nivelin qendror, me Drejtoreshën e APRK-së, znj. Jehona Namani Rexha dhe me personelin e të gjitha shërbimeve profesionale.

Kemi bashkëpunuar shumë mirë me Qendrën për Punë Sociale në Kamenicë dhe me drejtorin e saj z. Rifat Hajdari, me kryetarin e komunës z. Kadri Rahimaj dhe thuajse me të gjitha drejtoritë komunale.

Andaj, të gjitha këto institucione dhe njerëzit që i udhëheqin ose punojnë në to i falënderoj për bashkëpunim korrekt, duke ju dëshiruar shumë suksese në punën e tyre.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.