Është ndaluar për 48 orë i dyshuar për spiunazh
Komunikatë e përbashkët e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale
I arrestuari sot në pikën kufitare në Merdare, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:
– para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;
– para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;
– katër (4) telefona celularë;
– dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore në lidhje me rastin. /2LONLINE/
